24-11-2024

A thua paska kontribuues më të madh se komandant Drini për çlirimin e Prizrenit?!

Në 20-vjetorin e çlirimit të Prizrenit, në Akademinë Solemne, të mbajtur nga Kuvendi Komunal (KK), dje janë nderuar me mirënjohje disa personalitete, nga fusha të ndryshme të jetës në këtë qytet.

Kjo ka ndodhur pikërisht në shënimin e jubileut të dytë të një date, ndër më të veçantat e historisë së re të Prizrenit.

Ndonëse ka një rregullore për ndarjen e çmimeve apo mirënjohjeve, të cilën e ka miratuar Kuvendi Komunal, ajo që u pa dje, nuk korrespondon me dispozitat ligjore. Shtrohet pyetja, a ka pasur ftesë publike për shoqatat, organizatat dhe individë, për të propozuar njerëzit meritor për çlirimin e Prizrenit, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Krejt ky proces duket se ka qenë jotransparent, pasi nuk dihet kush dhe mbi çfarë kriteri i ka bërë propozimet. Nëse ka pas, atëherë cili ka qenë komisioni që ka bërë përzgjedhjen?

Në 20-vjetorin e çlirimit të Prizrenit  e konsiderojmë shumë më të udhës zgjedhjen e të gjithë atyre që kanë kontribuar për këtë çlirim, ndërsa personalitet tjera,  që dallohen për kontribut në fusha të tjera për Prizrenin është dashur të dekorohen në datat tjera të shënuara.

Fotografia e Komuna e Prizrenit

Cili qytetar i Prizrenit mund të pajtohet me këtë veprim të komunës së Prizrenit, ku në mesin e të dekoruarve nuk gjendet emri i Ekrem Rexhës – komandant Drinit, të cilin qytetarët e quajnë çlirimtar i Prizrenit.

Në këtë kontekst do përmendur edhe një reagim i djalit të komandant Drinit, Drin Rexhës, i cili në profilin e tij në “facebook”, ndër tjera ka shkruar se:  Në 20-vjetorin e Çlirimit të Prizrenit, në varrezat e Dëshmorëve në Landovicë është  befasuar me deklaratat e “disa” ushtarëve të UÇK-së, që s’kanë marrë pjesë në Çlirimin e Prizrenit, dhe të cilët e zbehin luftën e UÇK-së, duke folur për të.
“O Zot me ndihmo ta di të vërtetën nga ÇLIRIMTARET e vërtet të Prizrenit. Gjithmonë e vërteta dhemb!”, ka shkruar ai, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

Po ashtu në mesin e të dekoruarve tyre nuk gjendet as emri i veprimtarit dhe themeluesit të celulave të para të UÇK-së, dëshmorit të kombit, tash heroit Ismail Kryeziut.

Në këtë rast, mendojmë se nuk duhet ndonjë konstatim i veçantë, që procesi është bërë pa kriter dhe me ndikime politike.

Lista do të ishte tepër e gjatë në rast se do të numëronim emrat e të gjithë meritorëve, të cilët kanë kontribuuar për çlirimin e qytetit, por kjo nuk i bën nderë as atyre e as Komunës, që i ka ndarë, derisa nuk ka përfillje të rregulloreve nga ana e vetë institucionit, më të rëndësishëm komunal, i cili i ka aprovuar ato.

Mirënjohje iu ndanë edhe disa personaliteteve nga fusha të ndryshme, por edhe në këtë rast njësoj pa kurrfarë kriteri, duke lënë jashtë shumë meritorë.  A thua askujt nuk iu kujtua emri i doajenit të mjekësisë kosovare, Prim. Dr. Daut Mustafa?

Konsiderojmë se në këtë proces është dashur të përfshihen edhe personalitete nga komunitetet tjera të Prizren.

Ajo që është vërejtur gjatë mbledhjes solemne e pas saj, janë reagimet e disa kuvendarëve opozitarë, të cilët kanë shprehur habi, kur dëgjonin emrat e të dekoruarave, ndërsa ata nuk kishin dijeni dhe pyesnin njëri-tjetrin nëse kishin votuar një listë të tillë.

Krejt në fund, shtrohet pyetja apo degradohet edhe kjo çështje, meqenëse  për ndarjen e dekoratave e mirënjohjeve ka një rregullore komunale, të cilën më i thirruri për ta respektuar është pikërisht institucioni që e nxjerr, në këtë rast Kuvendi Komunal i Prizrenit. /GazetaePrizrenit.net/

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.