Administrata Biden i ka kërkuar ndihmë Grenellit: Marrëveshja e tij për Kosovën dhe Serbinë do të zbatohet
Edhe pas periudhës së administratës së Dondald Trump, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë që marrëveshja e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e arritur në Shtëpinë e Bardhë në Washington, të zbatohet.
Burime diplomatike të Gazetës Express në Washington bëjnë të ditur se ish-emisarit special të Trumpit për dialogun, Richard Grenell, i është kërkuar që ta informojë administratën e re lidhur me marrëveshjen e shtatorit të vitit të kaluar si dhe për hapat e ardhshëm në kuadër të saj.
“Administrata e Bidenit i kërkoi Grenellit një njoftim mbi marrëveshjen ekonomike dhe hapat e saj të ardhshëm. Grenell na e dha atë. Ne duam të punojmë në marrëveshjen e tij me përfshirje më të madhe nga evropianët”, thotë ky burim.
Administrata e re e SHBA-së me presidentin Joe Biden në krye e cilëson këtë marrëveshje si jopartiake dhe duan që ajo të zbatohet.
“Ata duan që marrëveshja të zbatohet dhe ata e shohin se si Biden ka vendosur ta bëjë këtë. Marrëveshja nuk është partiake!”, thotë ky burim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte shumë përplasje me Richard Grenell, kur ai erdhi për herë të parë në pushtet dhe ish-ambasadori i SHBA-së në Gjermani kishte marrë detyrën që të merret me problemet e Kosovës dhe Serbisë.
Në një rast, Kurti tha se Qeverinë e parë të udhëhequr nga ai e kishte rrëzuar po Grenell. Pas një sërë akuzash edhe pas rrëzimit, Kurti u bë politikani i parë shqiptar që doli hapur për ta mbështetur një kandidat për president në SHBA. Bëri thirrje që të votohej Joe Biden, duke shpresuar se demokrati do t’i hudhte edhe të gjitha të arriturat e dialogut, të sponsorizuara nga paraardhësi i tij në Shtëpinë e Bardhë.
Kjo shpresë bëri që Kurti të pozicionohej skajshmërisht edhe kundër Marrëveshjes së Washingtonit, duke e cilësuar si të dëmshme.
Katër ditë pas 4 shtatorit të 2020-ës, Albin Kurti, i rrëzuar nga pushteti pas përplasjeve të mëdha me administratën amerikane që drejtohej nga Trumpi, kishte shkruar se në Kuvendin e Kosovës nuk do të ratifikohet asgjë që është nënshkruar nga një “kryeministër jolegjitim” si Avdullah Hoti.
“Kur të kthehemi në detyrë, nuk kemi obligime ndaj zotimeve të një kryeministri të paligjshëm të Kosovës. Nënshkrimi poshtë teksteve jokoherente dhe jotransparente është kundër vullnetit të popullit, rendit demokratik dhe shkel kushtetutën. Ato nuk do të ratifikohen në Parlamentin tonë”, shkruante Kurti.
Sekretari i ri amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e kishte bërë paralajmërimin e parë se marrëveshja e arritur nuk do të hudhej nga tavolina e zyrës së presidentit të ri.
“Sa për punën që është bërë në rastin e Kosovës dhe Serbisë, unë e duartrokas këtë. Siç e dini, presidenti i zgjedhur, Joe Biden, ka shpenzuar shumë kohë në këto vende në të kaluarën. Unë besoj se ai ndan bindjet e juaja se ka gjëra që ne mund t’i bëjmë që ta ndihmojmë Kosovën të ecë përpara, po ashtu shpresojmë që kjo të ndodhë edhe me Serbinë”, shprehej Blinken gjatë raportimit në Senatin Amerikan, kur pritej konfirmimi i këtij të fundit si sekretar i Shtetit, pak ditë pas fitores që së Joe Biden në zgjedhje.
Pritjeve ndryshe të Kurtit e Vetëvendosjes u është dhënë një goditje edhe nga qëndrimi i betonuar zyrtar i administratës së presidentit Joe Biden se Marrëveshja e Washingtonit duhet të implementohet.
“Administrata e Bidenit ka konstatuar edhe zyrtarisht që Marrëveshjet e Washingtonit duhet të jenë bazë për punën tonë përpara. Ne besojmë se Kosova dhe Serbia duhet t’u përmbahen këtyre zotimeve dhe të punojnë së bashku”, ka thënë së fundmi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett, në një intervistë për Radio Televizionin 21.
Edhe deklaratat e Kurtit pas zgjedhjeve se dialogu s’është prioriteti i tij i kishin shqetësuar autoritetet në Berlin, Paris e Washington, i cili është sponsori kryesor ndërkombëtar i Kosovës. Departamenti i Shtetit ka thënë se duan ta inkurajojnë Qeverinë e re të Kosovës për t’i bërë negociatat me Serbinë prioritet në rrugën e njohjes ndërkombëtare. Deri më tani, Kurti ka treguar jo pak neveri ndaj kompromiseve në negociatat me Beogradin. Megjithatë, atij ia rikujtojnë gjithnjë se këtë do t’i duhet ta bëjë.