Administrata e Prokurorisë Themelore në Prizren nga sot në grevë
Punëtorët e administratës së Prokurorisë Themelore në Prizren nga e mërkura kanë hyrë në grevë.
Nga sot, në objektin e kësaj prokurorie janë vendosur edhe njoftimet, me të cilat bëhet e ditur se janë në grevë, e këtë gjë e kanë konfirmuar edhe disa zyrtarë të administrates së Prokurorisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, Shoqata Sindikale e Administratës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, më 25 janar 2022 ua kishte drejtuar të gjitha institucioneve një kërkesë për realizimin e kërkesave të tyre.
Me anë të kësaj kërkesë, ata kishin kërkuar që të aprovohet Ligji për Administratën e Punëtorëve te Gjykatave dhe Prokurorive, bazuar në Projektligjin për ndryshim të Ligjit për Zyrtar Publik e specifikuar në nenin 2, pika 8.
Kërkesë tjetër e administratës së gjykatës është edhe rregullimi i pagave me ligj-përafrimin e pagave të punëtorëve të administratës gjyqësore dhe prokuroriale, me ato të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Për shkak se institucionet relevante kanë neglizhuar këto kërkesa, kryesia e Shoqatës Sindikale, nëndegët e saj dhe Shoqata Sindikale e Gjykatës së Apelit më 28 shkurt 2022, kanë marrë vendim që më 1 mars ta fillojnë grevën.
Por, sipas grevistëve, do të lejohen që lëndët e natyrës urgjente si: lëndët me paraburgim dhe lëndët me të cilat rrezikohet personaliteti i njeriut (dhuna në familje), si dhe shkresat që i adresohen gjykatës të pranohen nga stafi i arkivës në kohën e caktuar nga këshilli grevist.