17-05-2024

Arrestohen katër zyrtarë të Telekomit, nën dyshimin për korrupsion

Policia e Kosovës (PK) njofton se ka arrestuar katër zyrtarë të Telekomit të Kosovës, K.J, F.J, M.P dhe Sh.Sh, nën dyshimin për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “Mashtrim në Prokurim”.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga policia, ku thuhet se një prej të arrestuarve është burrë dhe tri gra, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Sektori për Hetimin e Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore sot me datë 09.03.2022, ka arrestuar katër (4) persona të dyshuar zyrtarë në Telekomin e Kosovës; një mashkull dhe tri femra kosovar-e, me iniciale (K.J., F.J., M.P., dhe Sh. Sh.), të cilët dyshohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë zbatimit të Marrëveshjes për shfrytëzimin e hapësirave për reklama e lidhur në mes të Telekomit të Kosovës dhe një Kompanie të nënshkruar në vitin 2018”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, të dyshuarit duke vepruar në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare përkundër faktit se kjo marrëveshje nuk ishte realizuar, kanë nënshkruar raporte për përmbushje të kontratës me përmbajtje të rreme dhe me këtë i kanë mundësuar të dyshuarit me iniciale (R. K.) pronar i kompanisë përfitim të kundërligjshëm në vlerë mbi 100 mijë euro.

“I dyshuari i lartcekur (R. K.) pronari i kompanisë i është shmangur paraqitjes në polici dhe i njëjti është në kërkim policor”, njofton policia.

Bëhet e ditur se të dyshuarit e arrestuar pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë, për procedura të mëtejme. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.