25-04-2024

Administrohen prova në rastin e padisë së një mësimdhënëse ndaj Komunës së Prizrenit

Në seancën e sotme në Gjykatën Themelore në Prizren, janë administruar disa  prova, në rastin ku Bukurie Krasniqi e ka paditur Komunën e Prizrenit, për mos sistemimin e saj në një vend të punës si mësimdhënëse dhe anulimin e konkurseve për shkak të, siç pretendon ajo, parregullsive.

Në këtë seancë janë administruar disa kontrata të punës të lidhura në mes paditëses Krasniqi dhe Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prizren, provat e mos pranimit të saj në punë sipas konkurseve, duke anashkaluar përvojën e saj në arsim, ankesat e saj të bëra në institucionet arsimore më të larta dhe prova tjera relevante.

Ndryshe, as në këtë seancë, nuk ka prezantuar përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, e cila është palë e paditur.

Në seancën e së premtes, ka marrë pjesë paditësja Krasniqi dhe i autorizuari i saj, avokati Brahim Sopa, i cili ka kërkuar që seanca të mbahet në mungesë të të paditurës, pasi që e njëjta është ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e ka arsyetuar.

Gjyqtari i çështjes, Atdhe Berisha, ka aprovuar kërkesën e palës paditëse dhe ka vendosur që seanca të mbahet në mungesë të palës së paditur, në të cilën më pas janë administruar provat e lartcekura.

Seanca e radhës në këtë çështje kontestimore do të mbahet më 18 shtator 2018, në ora 13:30, ku palët në procedurë do të japin fjalët e tyre përfundimtare rreth këtij rasti.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të padisë civile të parashtruar nga Bukurie Krasniqi, me të cilën kërkon nga Gjykata Themelore në Prizren, që të marrë vendim me të cilin obligohet Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Prizren, që ta sistemojë atë në një vend pune si mësimdhënëse.

Paditësja, përmes padisë, pretendon se DKA është e obliguar ta sistemojë atë në një vend të punës si mësimdhënëse, duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ 10/15 të Ministrisë së Arsimit, pasi që ka punuar për më shumë se një vjet në institucionet arsimore sipas konkurseve të DKA-së.

Ajo poashtu kërkon që të anulohen tre konkurse për mësimdhënës pasi që, sipas saj, janë zgjedhur kandidatët pa plotësuar kriteret e konkursit, t’i kompensohen rrogat e dy muajve që nuk i ka marrë dhe të obligohet e paditura që të paguajë shpenzimet e procedurës gjyqësore./betimiperdrejtesi

Asnjë koment

Comments are closed.