27-07-2024

Afrim Shefkiu caktohet prokuror në rastin e veteranëve, Kryeprokurori Millaku refuzon ta bëjë publike

Prokurorit special, Afrim Shefkiu, i është ndarë lënda në rastin e veteranëve të UÇK-së, për të cilin rast, prokurori i dorëhequr, Elez Blakaj, ka ngritur aktakuzë më 11 korrik të këtij viti.

Për caktimin e këtij prokurori, “Betimi për Drejtësi”, ka mësuar nga burimet brenda Prokurorisë së Shtetit.

I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Reshat Millaku, ka refuzuar që ta konfirmojë nëse prokurori Shefkiu është caktuar në rastin e veteranëve të UÇK-së.

“As nuk e konfirmojë e as nuk e mohoj”, ka thënë shkurt Kryeprokurori Millaku.

I pyetur se pse nuk po bëhet publik emri i prokurorit që ka marr përsipër këtë lëndë, Millaku ka thënë se kjo nuk do të duhej të ishte e rëndësishme.

“Nuk është me rëndësi kujt i është ndarë lënda, me rëndësi është me u kry lënda”, ka thënë Millaku.

Ndërsa, “Betimi për Drejtësi”, ka provuar të kontaktojë edhe me prokurorin Shefkiu, mirëpo kontakti me të ka qenë i pamundur.

Ndryshe, në konferencën për media që një ditë më parë e ka pasur Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi si dhe Kryeprokurori i Speciales, Reshat Millaku, kanë thënë se tashmë kjo lëndë i është caktuar një prokurori tjetër, por pa treguar emrin e tij.

Sipas Lumezit, në këtë aktakuzën që është lënë gati nga prokurori i dorëhequr Blakaj, do të bëhen disa plotësime dhe precizime dhe e njëjta më pas do të dërgohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për gjykim.

Ai ka thënë se do të shtohen emrat e 19.060 veteranëve që konsiderohen të rrejshëm dhe se do të kërkohet caktimi i masës së përkohshme për t’ua ndal pensionet këtyre veteranëve që i marrin nga shteti.

Pas të bëhen këto plotësime, sipas tij, lënda do të jetë e gatshme për t’u dërguar në gjykatë.

Ndryshe, ish-prokurori special, Elez Blakaj, pas disa ditësh të dorëheqjes së tij, përmes një postimi në rrjetin e tij social, Facebook, ka treguar arsyet e dorëheqjes së tij dhe për kërcënimet e presionet, që thotë se ka pasur gjatë kohës sa po hetonte rastin e veteranëve të UÇK-së.

Asnjë koment

Comments are closed.