Afro 40 biznese të Prizrenit mund të përfitojnë nga një projekt i “Help-it”gjerman dhe Komunës
Rreth 40 biznese të komunës së Prizrenit, me prioritet personat të cilët kanë ide, mund të përfitojnë grante nga një projekt në vlerë mbi 100 mijë euro, që ka për qëllim mbështetjen e bizneseve të reja dhe ndërmarrjeve mikro, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Marrëveshja e bashkëpunimit për këtë është nënshkruar sot nga kryetari i Komunës, Mytaher haskuka dhe organizatës gjermane Help.
Sipas Haskukës, nga kjo marrëveshje e cila do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e punësimit dhe krijimin e vendeve të reja te punës, do të përfitojnë grante të paktën 40 biznese, ku në prioritet janë personat të cilët kanë ide të mira por janë në disfavor për të marrë kredi dhe nuk kanë asete për të filluar biznesin e tyre.
“Përfituesit e këtij granti do të mbështeten me donacion për pajisje në vlerë mesatare prej 2,000 euro, si dhe me organizimin e trajnimeve profesionale për biznes. Inkurajoj të gjithë qytetarët e Prizrenit që të aplikojnë për të përfituar nga ky projekt për të cilin Komuna e Prizrenit do të kontribuojë me 24 mijë euro, kurse Help’i me rreth 80 mijë euro”, ka deklaruar ai. /GazetaePrizrenit.net/