30-05-2024

Agim Çeku: Prokuroria ka shikuar vetëm aplikacionet, ndërsa komandantët i kanë njohur veteranët

Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, që në rastin e njohur si “Veteranët”, është duke u përballur me akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare, e ka vlerësuar si të gabuar pretendimin e prokurorisë se mbi 19.500 veteranë të luftës, nuk duhet ta gëzojnë këtë të drejtë.

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, akuzohen ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.

Ata akuzohen për kohën sa ishin pjesë Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas Çekut, PSRK-ja për disa aplikacione të veteranëve luftëtarë, ka vlerësuar se nuk duhet ta gëzojnë këtë të drejtë, mirëpo sipas tij, me këtë ata kanë bërë gabim të madh, pasi komandantët që kanë vlerësuar aplikacionet, nuk kanë pasur dyshime për veteranët pasi i kanë njohur, ndërsa PSRK-ja është marrë vetëm me aplikacione.

“Komisioni i ka njohur njerëzit, ne kemi njohur njerëz, ndërsa prokuroria kanë këqyrë vetëm letra, ndërsa ne i kemi njohur. Komandantët më shumë janë marrë me njerëzit që i kanë njohur e prokuroria i ka shiku vetëm gabimet teknike dhe detyrën. Prokurori thotë se ka shiku aplikacionet me dispozita ligjore, por ka bërë gabim të madh pasi shumica e atyre  aplikacioneve kanë qenë staf mjekësor apo kanë qenë në logjistikë e në fakt kanë qenë veteran luftëtar”, tha Çeku.

20200206_100755

Ai e mori si shembull edhe faktin se në listat e “veteranëve të rrejshëm”, ka hyrë edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, çka sipas tij, dëshmon se komandanti që e ka shqyrtuar aplikacionin e saj, nuk ka pasur nevojë ta analizojë se çka ka shkruar sepse e ka ditë se ka qenë veterane, ndërsa sipas tij, PSRK-ja nuk e ka shikuar emrin, por vetëm e ka parë se ajo e ka shënuar se ka qenë staf mjekësor.

Mirëpo, prokurori Enver Krasniqi, mohoi këtë pretendim të  Çekut, pasi tha se nëse shikohet aneksi 1 i aktakuzës do të shihet se emri i Time Kadrijaj nuk bënë pjesë në listën e 19.500 aplikacioneve.

Ndërsa, edhe i akuzuari Shukri Buja tha se në ato lista janë edhe eprorë të zonave, të cilët ai tha se do t’i propozojë si dëshmitarë.

I akuzuari tjetër, deputeti Shkumbin Demalijaj, tha se duke marrë parasysh se aplikacionet për veteran vullnetar kanë qenë pika fillestare e procesit të fitimit të statusit të veteranëve dhe në këtë mënyrë sipas tij, ka mundur të ndodhin gabime teknike, sepse jo të gjithë kanë pasur drejtshkrim akademik.

Ndryshe, në fillim të seancës, kryetarja e trupit gjykues Nushe Kuka-Mekaj kërkoi sqarime nga prokurorët e PSRK-së Enver Krasniqi dhe Valdet Gashi, se në çfarë baze është vlerësuar se nga 46.230 aplikacionet, janë veçuar 19.500 aplikacione si përfitues të parregullt, pasi sipas saj, në gjykatë kanë arritur shumë shkresa me të cilët shumë persona thonë se gjendën në ato lista, por kanë qenë veteran.

Prokurori Krasniqi, tha se lista prej 19.500 aplikacioneve që janë vlerësuar si aplikacione të “veteranëve të rrejshëm” është bërë duke pasur parasysh përshkrimet e aplikacioneve të vetë aplikantëve dhe duke u krahasuar ato me kriteret e përfshira me legjislacionin në fuqi.

Në këtë seancë, prokurori Enver Krasniqi, propozoi që të prezantohen në ekran disa nga aplikacionet si shembull për të treguar se si janë plotësuar dhe si janë vlerësuar nga PSRK, por mbrojtja kundërshtoi një propozim të tillë, duke kërkuar që të publikohen të gjitha, e jo që të seleksionohen vetëm disa nga to.

Trupi gjykues, për këtë propozim mori vendim që të administrohet si provë, por që të mos publikohet në ekran asnjë aplikacion, pasi sipas gjykatëses Kuka-Mekaj, të gjitha palët i kanë këto aplikacione dhe se mbrojtja më pas mund të jep edhe vërejtje për këto prova.

Kuka-Mekaj, në fillim të seancës së të enjtes i njoftoi prokurorët dhe mbrojtjen se ka refuzuar propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Fadil Shurdhaj, avokati Skënder Musa, që në cilësi të dëshmitarëve të ftohën Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeministrat Ramush Haradinaj e Isa Mustafa, të dëgjohen si dëshmitarë

Seanca e së enjtes, është duke vazhduar.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin e këtij viti.

Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin  e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  88.769.217.04 euro. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.