Agim Çeku s’ka ndikuar te asnjë anëtar i komisionit për rritjen e numrit të veteranëve”
Mbrojtja e ish-kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku pretendon se nuk ka prova materiale që do të vërtetojnë se si kryetar i komisionit qeveritar, ai ka kepërdorur detyrën e tij, duke rritur numrin e personave që kanë përfituar statusin e veteranit të UÇK-së.Me këto pretendime, ka nisur fjala hyrëse e mbrojtësit të të akuzuarit Çeku, avokatit Ramë Gashi, në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas konfirmimit të aktakuzës në të dyja shkallët gjyqësore, ka nisur shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, janë duke u akuzuar ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.Sipas avokatit Gashi, pas përfundimit të këtij procesi gjyqësor, sigurtë dhe qartë do të vërtetohet se Agim Çeku, nuk e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
“Gjatë administrimit të provave të akuzës do të vërtetohet se komisioni i formuar nga Qeveria e Kosovës, kishte përpiluar letrën me titull “Për Qeverinë e Republikës së Kosovës, lënda Raport në lidhje me përfundimin e listave për kategori të veteranëve e datës, 17 maj 2016. Do të vërtetohet se Qeveria me 01.06.2016, ka marr vendim mbi aprovimin e raportit të komisionit dhe në pikën 2 të këtij vendimi shprehimisht ka vendos “Evidenca e prezantuar nga komisioni në raportin e Qeverisë miratohet si listë e papërmbyllur e verifikimit”, ka thënë avokati Gashi.
Ai ka shtuar se do të vërtetohet se akuza nuk ka prova materiale në formën e një regjistri zyrtar për numrin e veteranëve në nivel të vendit.Sipas tij, akuza nuk do të arrijë të provojë saktë numrin e veteranëve në Kosovë, e as të provojë numrin që ajo pretendon si të paligjshëm.
“Do të vërtetohet se deklaratat e dëshmitarëve në akuzë, nuk kanë përmbajtje burimore dhe të konfirmuara nga organe të strukturave të UÇK-së. Do të rezultojë se dëshmitë e këtyre dëshmitarëve janë hamendësuese dhe të pabazuara. Provat do të vërtetojnë se në rastin e Agim Çekut nuk ka të bëj me mos veprim prej nga do të rezultonin elemente inkriminuese të veprës penale për të cilat akuzohet.
Agim Ceku si kryesues i komisionit ka kërkuar mbarëvajtje dhe punë të bazuar në ligj nga komisioni. Nuk do të ketë prova që tregojnë se Agim Çeku me veprim ose mos veprim ka pasur ndikim në ndonjë rritje si pretendon akuza të numrit të veteranëve me qëllimin që ta dëmtojë buxhetin e Kosovës. Nuk ka gjykim të drejtë pa marr si të barabarta provat e mbrojtjes me ato të prokurorit”, ka thënë avokati Gashi.Në këtë drejtim, ai ka kërkuar nga gjykata që të merr parasysh provat dhe propozimet që mund të vijnë nga mbrojtja në një fazë të caktuar gjatë këtij procesi.Përfundimisht, ai ka thënë se shpreh bindjen e plotë se ky proces do të vërtetojë pafajësinë e klientit të tij.
Ndërsa, vet i akuzuari Agim Çeku, ka thënë se mbështet plotësisht fjalën e mbrojtësit të tij.Seanca po vazhdon me deklarime të mbrojtësve të të akuzuarve të tjerë në këtë rast.Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin e këtij viti.Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor. e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për ndaljen e përkohshme të pensioneve për “veteranët e rrejshëm”.Por, më 1 prill 2019, e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.
Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.
Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..
Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro. /BetimipërDrejtësi