Agim Veliu: Edhe presidenti, edhe kryeministri për Vetëvendosjen janë shumë!

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu ka deklaruar se nuk janë duke insistuar për postin e Presidentit të Kosovës në diskutimet që kanë për lidhjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendose, por që ky post u takon atyre.

Këtë deklaratë Veliu e bëri në selinë e LDK-së, ku edhe po zhvillohet takimi i liderit të kësaj partie me dy anëtarët e Bundestagut gjerman, Peter Beyer dhe Christian Schmidt.

 

“S’ka insistim, por neve na takon posti i presidentit. Duam balancim të posteve sepse edhe presidenti edhe kryeministri për VV-në janë shumë. Ne si parti jemi të hapur për bisedime”, tha Veliu, shkruan Indeksonline.

 

Në këtë takim të pranishëm janë edhe nënkryetarja Vjosa Osmani si dhe nënkryetari, Lutfi Haziri.

Ndryshe mbrëmë Isa Mustafa deklaroi se po presin që VV t’i thërras përsëri në takim, për të diskutuar lidhur me koalicionin, duke shpresuar se një marrëveshje bashkëqeverisëse do të mund të arrihet para datës 26 dhjetor kur edhe do të zhvillohet seanca e parë e Kuvendit të Kosovës me legjislaturën e shtatë./Indeksonline/