22-11-2024

Agjencia tërheq akreditimin për 4 programe të UPZ-së

Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Agjencisë së Kosovës për Akreditim ka marrë vendim për tërheqjen e akreditimit të katër programeve të studimit në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, shkruan sot Koha Ditore.

Akreditimet janë tërhequr për programet fillore në gjuhët shqipe, boshnjake e turke në nivelin bachelor dhe për programin Shkencat Kompjuterike dhe Teknologji Komunikimi në nivel master.

Këshilli i kësaj agjencie ka arsyetuar se ka vendosur kësisoj për shkak të mungesës së stafit akademik të fushave për këto programe të studimit.

“Tërhiqet akreditimi i programeve të studimit të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” si më poshtë: Programi fillor, BA, 240 ECTS (në gjuhën shqipe); Programi fillor, BA, 240 ECTS (në gjuhën boshnjake); Programi fillor, BA, 240 ECTS (në gjuhën turke) dhe Shkencat Kompjuterike dhe Teknologji komunikimi, MSc, 120 ECTS”, shkruan në vendimin e KShC-së, kopjen e së cilës e posedon gazeta.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se pas deklarimit të stafit akademik të Institucioneve të Arsimit të Lartë, AKA-ja ka filluar verifikimin e dokumenteve të tyre me qëllim të konfirmimit të përmbushjes së kritereve ligjore për secilin program të studimit. Aty shkruan se KShC-ja ka analizuar dokumentet e secilit staf akademik të vendosur si bartës të programeve dhe pas analizës së fushave të studimit ka marrë vendimin përkatës.

Për programin e studimit Edukimi fillor në gjuhën shqipe, theksohet se UPZ-ja ka paraparë stafin e përbërë nga Ismet Temaj, Fahredin Shabani, Shemsi Morina dhe Ajka Aljilji. Tutje sqarohet se sipas dispozitave të Udhëzimit Administrativ për Akreditim për këtë program Universiteti duhet të ketë të paktën katër staf akademik me gradën PhD dhe me marrëdhënie të rregullt të punës nga fusha e programit të studimit.

“Pas verifikimit të dokumentacionit të stafit akademik të prezantuar nga Universiteti për këtë program të studimit u konstatua që dy nga anëtarët e stafit akademik nuk i përkasin fushës relevante të programit të studimit. Sipas dokumentacionit të kualifikimit të stafit akademik, Fahredin Shabani është PhD në Histori, ndërsa Ajka Aljilji është PhD në Shkencat Teknike në fushën e Teknologjisë. Asnjëri nga këta të dy nuk i përket fushës së programit të studimit. Ajka Aljilji përveç që nuk është nga fusha e studimit, e njëjta ka diplomë të lëshuar nga i ashtuquajturi ‘Universiteti i Prishtinës’ në Mitrovicë të veriut, në diplomën e së cilës shkruan Republika e Serbisë. Nga sa u tha më lartë asnjëri nga katër bartësit nuk i përket fushës së programit të studimit dhe rrjedhimisht nuk mund të jenë bartës i këtij programi”, thuhet në arsyetimin e vendimit, duke shtuar se bazuar në këto fakte dhe dispozitat ligjore është vendosur tërheqja e akredimit për këtë program studimi.

Për programet e studimit të Edukimit fillor në gjuhën boshnjake dhe gjuhën turke, KShC-ja ka shpjeguar se legjislacioni lejon ofrimin e programeve në gjuhët minoritare edhe pa stafin akademik me gradën PhD paralelisht me programin në gjuhën shqipe dhe se “bazuar në dispozitivin e këtij vendimi sipas së cilit konfirmohet tërheqja e akredimit për program në gjuhën shqipe, KShC vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi”.

Këshilli ka bërë të ditur se në mungesë të stafit të fushës së programit të studimit dhe UA për akreditim ka tërhequr akreditimin për programet e Edukimit fillor në gjuhën boshnjake dhe gjuhën turke.

Asnjë koment

Comments are closed.