Ajeti refuzoi Shqipërinë, Zvicra e lë jashtë Botërorit
Një vendim i papritur në kombëtaren e Zvicrës. Albian Ajeti nuk do të jetë në listën e lojtarëve që do të udhëtojnë për në Botërorin “Rusi 2018”.
Lajmi raportohet nga prestigjiozja zvicerane “Blick”. Golashënuesi më i mirë në Zvicër me Bazelin, Albian Ajeti u thirr nga trajneri i Zvicrës, Petkoviç për grumbullimin e zhvilluar në Lugano para Botërorit.
Shpresat ishin të mëdha që Ajeti të ishte në Botëror, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Sulmuesi i talentuar dhe njëkohësisht vëllai i Arlind Ajetit që luan për Shqipërinë, tashmë do të lihet jashtë listës së ekipit përfaqësues të Zvicrës, së bashku me Dimitri Oberlin.
Albian Ajeti nuk pranoi të vishte fanellën kuqezi të Shqipërisë, ashtu si vëllai i tij, por kaloi te Zvicra.
Edhe shqiptari tjetër i Zvicrës, Mehmedi nuk do të udhëtojë drejt Rusisë. Por situata e tij është krejt e kundërt me atë të Albian Ajetit. Sipas “Blick”, Mehmedi ka hequr dorë vullnetarisht nga kombëtarja e Zvicrës.
“Është një vendim i mendjes, jo i zemrës. Thjesht mendoj se e kam vështirë të sjell diçka më shumë për ekipin e Zvicrës, veçanërisht në Botëror. Ndaj po e marr këtë vendim që tani, në mënyrë që të mos bllokoj vendin në kombëtare, duke ia lehtësuar punën trajnerit”, tha 27-vjeçari, Admir Mehmedi, që duket se nuk është rikuperuar në kohë nga dëmtimi dhe ka vendosur të tërhiqet nga pjesëmarrja në Botëror./koha.net/