Rahovec: Tentoi t’ia japë 20 euro policit kur u kap duke vozitur mbi shpejtësinë, ndalohet shtetasi i Shqipërisë
Një kontroll rutinor i Policisë në fshatin Bërnjakë të Rahovecit ka përfunduar me arrestimin e një shtetasi të Shqipërisë, i cili dyshohet se tentoi ta korruptonte një zyrtar policor me 20 euro, pasi ishte ndaluar për tejkalim të shpejtësisë, merr vesh Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur sot, 7 shtator, rreth orës 09:05, derisa një patrullë policore po operonte në një pikë kontrolli në këtë zonë.
Policia ka ndaluar një automjet me targa të Shqipërisë për shkak të tejkalimit të shpejtësisë, ndërsa drejtuesit të veturës i janë kërkuar dokumentet përkatëse.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, në momentin kur zyrtari policor i ka kërkuar dokumentet, shoferi dyshohet se, në vend të tyre, ka tentuar t’ia lëshojë në dorë një kartëmonedhë prej 20 eurosh.
Zyrtari policor nuk e ka pranuar shumën dhe rasti menjëherë ka marrë karakter penal.
Burimet bëjnë të ditur se i dyshuari është H. Selimaj, shtetas i Republikës së Shqipërisë.

Ai është shoqëruar në Stacionin Policor në Rahovec, ku është intervistuar lidhur me dyshimet për dhënie të ryshfetit.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda, me vendim të të cilit kartëmonedha prej 20 eurosh është sekuestruar si provë materiale, ndërsa Selimaj është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Rasti është iniciuar për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”, sipas nenit 422.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
