25-11-2026

Dogana zbulon mbi 4 mijë stoli argjendi në një dërgesë postare, shmangia e taksave mbi 7 mijë euro

Dogana e Kosovës ka zbuluar 4 mijë e 161 copë stoli argjendi në një dërgesë postare në Aeroportin e Prishtinës, e cila ishte deklaruar si “pjesë të imta metali për testim”.

Sipas njoftimit të Doganës, rasti është zbuluar më 24 nëntor, gjatë kontrolleve të rregullta në sektorin e Aeroportit – Kargo.

Pas dyshimeve për mospërputhje mes përshkrimit të deklaruar dhe përmbajtjes së dërgesës, zyrtarët doganorë kanë vendosur që pakoja t’i nënshtrohet skanimit dhe ekzaminimit fizik.

Gjatë kontrollit është konstatuar se në pako kishte gjithsej 4 mijë e 161 copë stoli argjendi, përfshirë 1 mijë e 331 unaza, 358 qafore, 844 byzylykë, 1 mijë e një varëse, 503 palë vathë dhe 124 komplete.

Dogana ka bërë të ditur se vlera doganore e mallit, pa përfshirë taksat, është 25 mijë e 861.39 euro, ndërsa detyrimet doganore që dyshohet se janë tentuar të shmangen kapin shumën prej 7 mijë e 706.69 eurosh.

Për shkak të mosdeklarimit të saktë të llojit, sasisë, peshës dhe vlerës së mallit, rasti është trajtuar si kundërvajtje doganore.

Dogana ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet për parandalimin e shmangies së detyrimeve doganore dhe shkeljeve të tjera në importin e mallrave.

Asnjë koment

Comments are closed.