Në një veture në Suharekë, policia gjen dhe sekuestron një pistoletë me katër fishekë
Një armë zjarri është gjetur dhe sekuestruar nga Policia e Kosovës gjatë kontrollit të një automjeti në një pikë kontrolli në Suharekë, percjell Gazeta e Prizrenit.
Rasti ka ndodhur më 24 nëntor, rreth orës 11:45, kur patrulla e Njësisë së Rregullimit të Trafikut Rrugor, nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, gjatë kontrollimit të dokumentacionit të automjetit, ka vërejtur në kroskot një pistoletë të mbushur me një krehër me katër fishekë.

Sipas policisë, personi që drejtonte automjetin nuk posedonte leje për mbajtjen e armës.
Edhe pse më vonë në stacionin policor është paraqitur pronari i armës, i cili kishte leje për të, me vendim të prokurorit ndaj shoferit është iniciuar procedurë penale për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.

I dyshuari, A.M., 26-vjeçar, pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa arma është sekuestruar përkohësisht.

Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin në luftimin e posedimit të paautorizuar të armëve dhe municionit, si dhe në garantimin e sigurisë publike.



