Shtatë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur sot në autostradën “Ibrahim Rugova”, në segmentin te “Qafa e Duhlës”, në drejtim të Prishtinës.
Në aksident janë përfshirë tri vetura dhe një kamion, ndërsa për shkak të përplasjes kanë intervenuar ekipet emergjente.
Rastin e ka konfirmuar për Sinjalin Policia e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se hetuesit e Njësisë së Autostradës kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer procedurat hetimore.
“Hetuesit e njësitit të autostradës janë në vendin e ngjarjes. Rruga është e lëshuar, njëri nga shiritat ka qenë vazhdimisht i lirë për qarkullim”, kanë deklaruar nga Policia.

Rrethanat që çuan deri te aksidenti ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.


