20-04-2024

Aksidenti me katër viktima në Ferizaj, arrestohet një person

Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton se sot rreth orës 15:30, në fshatin Koshare- komuna Ferizaj, ka ndodhur një aksident trafiku mes dy veturave, ku, sipas informatave të para, si pasojë e këtij aksidenti, kanë humbur jetën katër persona, ndërsa, një person tjetër është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtutjeshëm.

Për aksidentin me fatalitet është arrestuar një person dhe i njëjti me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48-orë. I dyshuar për vepren penale “Rrezikimi i trafikut publik”.

“Lidhur me rastin në fjalë, në vendin e ngjarjes kanë dal të gjitha Njësitet e Policisë, ekipet e mjekësisë ligjore, eksperti i komunikacionit dhe Prokurori i Shtetit, ku, me urdhër të tij, është ndaluar një person i dyshuar në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, njofton prokuroria.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj”, thuhet në njoftimin e prokurorisë, transmeton Gazeta Express.

Në mesin e viktimave është edhe një 12 vjeçare, raporton Gazeta Express, ndërsa shkaqet e aksidentit nuk janë bërë akoma të ditura.

Lajmin e ka konfirmuar për Express edhe drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, Nadire Ymeri.

“4 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e aksidentit në fshatin Koshare. Viktimat janë sjellë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ne Prizren. Edhe policia është në Emergjencë dhe po merr informacione. Në mesin e viktimave është edhe një vajzë 12 vjeçare. Ndërsa, një vajzë e intubuar është nisur për trajtim në Prishtinë”, ka deklaruar ajo.

Ndërsa policia ka njoftuar se në vendin e ngjarjes janë të gjitha Njësitet e Policisë dhe Prokurori i Shtetit, të cilët po e hetojnë rastin.

Pas aksidentit me katër viktima ka reaguar edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

“U trondita kur mësova lajmin se në rrugën magjistrale Ferizaj-Shtime, saktësisht në fshatin Koshare, sot, ndodhi një aksident me përmasa tragjike, e ku humbën jetën 4 qytetarë dhe një u lëndua rëndë. Të pikëlluar jemi sot të gjithë, nga ky aksident tragjik. Jemi me familjarët e viktimave në këto orë të rënda për to. Presim që sa më parë të zbardhen shkaqet që çuan në aksident dhe apelojmë për shtim të kujdesit në trafik. Njëkohësisht i urojmë shërim të shpejtë të lënduarit nga ky aksident. Ngushëllime të sinqerta familjarëve, miqve e të njohurve të viktimave që humbën jetën sot tragjikisht në këtë aksident rrugor”, përfundon telegrami i ngushëllimit. /Express/

Asnjë koment

Comments are closed.