Aksion në Shtërpcë – mbyllet institucioni paralel serb, Policia e Kosovës ndërhyn me urdhër të Ministrisë
Një tjetër institucion paralel serb është mbyllur në territorin e Kosovës – këtë herë në komunën e Shtërpcës.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, aksioni është ndërmarrë në orët e para të mëngjesit të sotëm, pas kërkesës së Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, dhe është zhvilluar në koordinim me institucionet përkatëse të shtetit.
Bëhet fjalë për kompaninë e ujësjellësit dhe mbeturinave, e cila ka operuar ilegalisht nën juridiksionin e Serbisë dhe është konsideruar si institucion paralel.
“Policia e Kosovës me njësitë relevante policore dhe në koordinim me autoritetet përkatëse, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në raport me aktivitetin e jashtëligjshëm të kësaj ndërmarrjeje”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës thekson se do të vazhdojë me vendosmëri aksionet për të garantuar sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe për të mbrojtur kushtetutshmërinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.