Aksioni i Antidrogës në Prizren: Gjykata lë në paraburgim Shkodran Pulajn dhe të tjerët
Këtë e ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj, i cili tha se të dyshuarve u është vazhduar paraburgimi edhe për një muaj tjetër, deri më 4 shkurt 2024.
“Të pandehurve SH.P., M.P., dhe F.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, nga neni 267, paar 1 lidhur me par. 31, me datë 03.01.2024, departamenti I Krimeve të Rënda, Gjyqtarja e procedurës paraprake Ajser Skenderi, ka marrë AKTVENDIM, dhe i’u është vazhduar masa e paraburgimit deri më datë 04.02.2024.
Me aktvendimin e kësaj Gjykatë, të pandehurve me datë 01.12.2023, i’u ishte caktuar masa e paraburgimit, e cila masë ishte caktuar deri më datë 04.01.2024. Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, me datë 29.12.2023, ka paraqitur kërkesë dhe ka propozuar që të pandehurve të i ‘u vazhdohet masa e paraburgimit”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës për Sinjali.
Paraburgimi ndaj të dyshuarve është vazhduar me arsyetimin se ekziston rreziku i arratisjes dhe përsëritjes së veprave penale të ngjashme nga ana e të dyshuarve.
“Duke marrë parasysh provat materiale të mbledhura deri në këtë fazë hetimore,, të cilat e arsyetojnë dyshimin e bazuar se tre (3) të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen, Gjykata ka vlerësuar se vazhdimi i paraburgimit është i nevojshëm me qëllim të sigurimit të të dyshuarve në procedurë hetimore, sepse me lënien e tyre në liri ekziston rreziku I arratisjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.
Gjykata ka vlerësuar se vazhdimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm, duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale për të cilën dyshohen, rrezikshmërinë shoqërore që paraqet vepra penale të narkotikëve, andaj me lënien në liri të të pandehurve ekziston rreziku I përsëritjes së veprave penale të ngjashme nga ana e të pandehurve”, tha Lekaj për Sinjalin.
Për çka dyshohen të arrestuarit?
Gjykata ka njoftuar se ekziston dyshimi i bazuar se të arrestuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitjae paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Po ashtu, Shkodran Pulaj do të hetohet edhe për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”
“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: Nga data e pavërtetuar e ne vazhdimësi, të pandehurit M.P., Xh.K., F.Sh., në bashkëveprim me të pandehurit Y.K., dhe L.K., pa autorizim blejnë ose posedojnë me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrojnë për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotik, në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri Y.K., dhe i pandehuri Sh,.P., blenë substanca narkotike të llojit Kokainë dhe Kanabis në sasi të mëdha nga persona të ndryshëm nga Republika e Shqipërisë, dhe pastaj e sjell në villen e tij e cila gjendet në lagjen Tusuz, të cilën më pas në bashkëveprim me të pandehuri M.P., Xh.K., L.K., dhe F.Sh., e ndajnë në sasi-qese të vogla me qëllim të shitjes apo shpërndarjes tek përdoruesit e këtyre substancave narkotike në Regjionin e Prizrenit.
I pandehuri Sh.P., Nga koha e pavërtetuar e deri me datë 05.09.2023, ka poseduar armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armë, në atë mënyrë që me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit në shtëpinë e tij, janë gjetur një pushkë gjuetie, dy tytëshe, horizontale me numër serik …….- 64, nëntë fishek të kalibrit të pa njohur të pistoletës, një kafk e pistoletës me numër serik ….., një kuti municioni brenda saj me dhjetë fishekë të pistoletës të kalibrit të pa njohur, njëmbëdhjetë fishekë të kalibrit të pa njohur, për të cilat nuk ka pasur leje nga organi kompetent i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës., si dhe janë gjetur pjesët përcjellëse si: një sprej për pastrim të armëve, një kuti plastike me brusha për pastrim të armëve të zjarrit dhe një rripë fotrollë për vendosjen e karikatorëve ngjyrë e zezë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Kujtojmë se sinjalizues të Sinjalit kanë bërë me dije se Pulaj, i cili ka qenë kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për asamblist në Prizren në zgjedhjet lokale të vitit 2021, njihet si person që ka pasur krahun e fortë dhe asnjëherë nuk është prekur nga organet e rendit.
Veprimtaria e tij nuk është ndalur, teksa shoqërimi i tij me ish shefin e Antidrogës, Enver Bujari, në kohën sa ai mbante këtë pozitë ka vazhduar e madje edhe është bërë publike.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.