11-10-2024

Aktakuzë kundër 7 personave: Çdo ditë i kontrabanduan deri në 15 migrantë, secili pagoi rreth 600 euro

Kjo është bërë e ditur nga Prokuroria Themelore në Prizren, e cila ka njoftuar ngritjen e aktakuzës ndaj S.G., A.H., H.A., O.A., M.H., A.B., dhe M.R.

Në njoftim thuhet se sipas aktakuzës ata kanë kontrabanduar migrantë nga Shqipëria në Kosovë, e pastaj në Serbi.

Sipas Prokurorisë nga marsi i vitit 2023 ata kanë kaluar nëpër këto shtete 10 deri në 15 migrantë.

“Me këtë rast, për këtë periudhë kohore, për çdo ditë kontrabandojnë nga 10 deri 15 migrantë në ditë, e të cilët migrantë destinim të fundit i kishin shtetet e Bashkimit Evropian, ndërsa secili migrant për të kaluar nga territori i Shqipërisë deri në territorin e Serbisë, ka paguar nga 500 euro, e për transport brenda territorit të Republikës së Kosovës ka paguar nga 45 – 100 euro. Me këto veprime, të pandehurit e lartëcekur kanë kryer veprën penale ‘kontrabandimi me migrantë’ nga neni 164 par. 5 lidhur me nenin 31 dhe 77, sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Veç kësaj, Prokuroria ka treguar edhe veprimet e të akuzuare tjerë.

Ndërsa, të akuzuarit A.H., M.H., H.A., O.A., dhe H.M., “nga fillimi i muajit mars të vitit 2023, e në vazhdim deri me datë 20.06.2023, merren me kontrabandim me migrantë, në atë mënyrë që i pranojnë migrantët kryesisht arab dhe të shteteve aziatike, nëpërmes rrugëve malore, i kalojnë në territorin e Republikës së Kosovës, ku të njëjtit i grumbullojnë në afërsi të xhamisë së fshatit Vërmicë, ose në afërsi të urës e cila gjendet në autostradë afër fshatit Vërmicë, ku i priste i pandehuri M.H., dhe taksistët të cilët me kombi dhe me vetura udhëtarësh, migrantët e kontrabanduar i transportojnë nga aty, nëpër territor të Republikës së Kosovës.”

Tutje në njoftim thuhet se i akuzuari M.H., dhe taksistët të cilët i kishte siguruar ai, i transportojnë deri në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjes, “dhe me ndihmën e kontrabandistëve e kalojnë kufirin Kosovë-Serbi, jashtë pikë-kalimit kufitar në mënyrë të paligjshme, kundrejt një përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare.”

Gjithashtu, të akuzuarit S.G., A.H., H.A., dhe O.A., “me datë 19.06.2023, në mesnatë, në Prishtinë, në katin e katërt të objektit banesor që gjendet në rrugën “S.M.”, kanë poseduar armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, në atë mënyrë që gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes, të njëjtëve u janë gjetur  në posedim tri (3) armë zjarri dhe një numër i konsiderueshëm i fishekëve. Me këto veprime, të njëjtit kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”nga neni 366 par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Po ashtu, i pandehuri O.A., në banesën e lartëcekur në Prishtinë, shkakton rrezik të madh për jetën e personave që kanë qenë brenda banesës, e pikërisht për të pandehurit S.G., A.H., dhe H.A., në atë mënyrë që me pistoletë shtënë disa herë në drejtim të tokës (sheshit) të dhomës së kësaj banese, me ç’rast shkakton rrezik të madh për jetën e tyre. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 par.1,  sipas KPRK-së.”

Asnjë koment

Comments are closed.