Aktakuzë ndaj dy personave, dyshohet se e detyruan një të mitur të ofrojë shërbime seksuale
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Trafikimi me njerëz” dhe “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”.
Po ashtu, ata dyshohen se e kanë detyruar të miturën që pa dëshirën e saj të ofrojë shërbime seksuale te klientët e lokalit të tyre.
“Në atë mënyrë që paraprakisht siguron viktimën e mitur, për të cilën, e di se është e mitur dhe e rekruton të njëjtën në lokalin e tij – klubin e natës ‘NN’ në Prizren, në mënyrë që e njëjta të punojë si e ashtuquajtur ‘valltare’ apo ‘shoqëruese e klientëve’, të cilës gjithashtu edhe i ofron strehim në dhomat e gjumit të lokalit në fjalë, por edhe banesë në Prizren, me ç’rast me përdorim të forcës dhe shtrëngimit e detyron që e njëjta të ofrojë shërbime seksuale klientëve të ndryshëm, konkretisht edhe të pandehurit L.H, e cila në pamundësi që t’i rezistojë detyrimit me forcë, pa pëlqimin e saj është pajtuar që t’i ofrojë disa herë shërbime seksuale të pandehurit në fjalë”, thuhet në njoftim.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.