Aktakuzë ndaj Gjergj Dedajt për kanosje të presidentes Osmani pasi e shkarkoi nga posti i ambasadorit
Lajmin e ka konfirmuar Laureta Ulaj, zëdhënësja e Themelores së Prishtinës.
“Rastit të cilit i referoheni ju njoftojmë se më 20.10.2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër personit me inicialet Gj.D., në drejtim të veprës penale “Kanosja”, nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, tha ajo.
Pas shkarkimit të tij, Dedaj, në emisionin “Frontal” të T7, kishte përmendur kanunin ndaj Osmanit meqë këtë vendim e kishte konsideruar “hakmarrje politike”.
“Përveç ligjit të unë dhe familja ime te Malësia e Gjakovës vepron edhe kanuni i Lekë Dukagjinit. Unë jam i ligjit, mirëpo na jemi shqiptarë. Nuk mundesh dikë që ja ki inati me e vra. Unë jam i rrezikuar nga Klani i Osmanit, i Vjosës dhe bashkëshorti i saj, nga njerëzit e saj dhe i listës Guxo. Nuk di që duhet me pasë kërcënim tjetër kur ta rrezikon jetën, të len të pafytyrë, të heqë prej listës së pagave”, tha Dedaj.
Pas kësaj deklarate, kabineti i Osmanit kishte konfirmuar se Dedaj ishte denoncuar te organet e drejtësisë për këtë deklaratë.
“Siç kemi paralajmëruar z.Gjergj Dedaj është denoncuar te organet e rendit për kërcënim publik kundër jetës dhe sigurisë ndaj Presidentes Osmani dhe familjes së saj”.
Dedaj e kishte përmendur Osmanin edhe në deklaratën e tij në Hagë, duke iu referuar si e “ashtuquajtur presidente”.
“Së fundi kam qenë ambasador por jam larguar dhunshëm, brutalisht, dhe politikisht nga ana e ashtuquajturës presidente Osmani për qëllime politike sepse në vend timin e ka dërgu burrin e saj”, tha Dedaj.