16-04-2024

Aktakuzë ndaj ish-prokurorit Metush Biraj për një rast për drogë

Prokuroria e Gjilanit ka njoftuar sot se ka ngritur aktakuzë ndaj ish-prokurorit Metush Biraj për marrje ryshfeti, pasi ishte tërhequr nga një rast për narkotikë në fjalën përfundimtare të rastit.

Metush Biraj në cilësi të prokurorit të shtetit në Prokurorinë e Prizrenit, në mes të muajit prill dhe korrik të vitit 2023, sipas njoftimit të Prokurorisë, ka pranuar ofertën ose premtimin për dhuratë, në shumë prej 20,000 euro.

Sipas aktakuzës, i pandehuri M.B., në mes të muajve prill dhe korrik të vitit 2023, në Prizren, në cilësi të prokurorit të shtetit të Prokurorisë Themelore në Prizren, pranon ofertën ose premtimin për dhuratë, në shumë prej 20.000 €, në atë mënyrë që gjatë përfaqësimit në Gjykatën Themelore në Prizren, më 31.03.2023, në këmbim të premtimit heq dorë nga ndjekja penale në mungesë të provave ndaj të akuzuarve: N.O., U.S. dhe A.S., për shkak të veprës penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’, të KPRK-së.

Prokuroria Themelore e Gjilanit njofton se me këto veprime ka kryer veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’ nga neni 421 paragrafi 1 të KPRK-së.

Ndërsa, të pandehurit Sh.P. dhe N.O., me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë premtuar dhënien e ryshfetit për personin tjetër – tani të pandehurin M.B., me qëllim që i njëjti, në cilësinë e prokurorit të shtetit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor te datës 31.03.2023, të heq dorë nga aktakuza kundër të akuzuarve N.O., U.S. dhe A.S., për shkak të veprës të sipërshënuar penale.

Me këto veprime kanë kryer veprën penale ’’ Dhënia e ryshfetit’’ nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Asnjë koment

Comments are closed.