28-11-2021

Aktakuzë ndaj prizrenasit për falsifikim të 400 eurove

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër A.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë”.

“Sipas aktakuzës, i akuzuari A.K., me datë 24.09.2021, rreth orës 13:30 në rrugën ‘’William Walker’’ në Prizren, me dashje – duke e ditur se paraja është e falsifikuar pranon dhe posedon të njëjtat me qëllim që më pas t’i vë në qarkullim si të vërteta, në atë mënyrë që, derisa i njëjti ishte duke drejtuar automjetin e markës ‘’VW Lupo’’ ndalohet nga Policia e Kosovës tek i cili gjejnë 4 (katër) kartëmonedha në shumën prej 100 € (njëqind euro), në total 400 € (katërqind euro), të cilat dyshohen të jenë të falsifikuara, me ç ‘rast të njëjtat edhe ia sekuestrojnë përkohësisht.

Po ashtu, i akuzuari A.K., gjatë periudhës së vitit 2021, në kohë të pavërtetuar, me dashje – duke e ditur se paraja është e falsifikuar posedon të njëjtat me qëllim që më pas t’i vë në qarkullim si të vërteta, në atë mënyrë që, fillimisht ia dorëzon një kartëmonedhë në shumën prej 100 € (njëqind eurosh) të dëmtuarit E.S., i cili është pronar i subjektit juridik, ashtu që ky i fundit me datë 02.07.2021, në njërën prej bankave në Prizren, deponon një shumë të konsiderueshme parash të pazarit ditor, në mesin e të cilave ishte edhe kartëmonedha e falsifikuar, për të cilën i dëmtuari nuk e ka ditur se është e falsifikuar, me ç’rast pas pranimit të Raportit të Ekspertimit nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë të datës 20.09.2021 është vërtetuar se kartëmonedha në shumën prej 100 € (njëqind eurosh) është falsifikim i plotë”, thuhet në njoftimin për media.

Sipas njoftimit thuhet se i akuzuari A.K., me datë 03.09.2021, në biznesin familjar – pronë e të dëmtuarit M.A., me dashje – duke e ditur se paraja është e falsifikuar posedon të njëjtat me qëllim që më pas t’i vë në qarkullim si të vërteta, në atë mënyrë që futet në dyqanin në fjalë dhe me anë të një kartëmonedhe në shumën prej 100 € (njëqind eurosh) blen 3 (tri) pako cigare, ashtu që dëshmitarja F.A., pranon kartëmonedhën nga i pandehuri dhe ia kthen kusurin dhe me të pranuar kusurin largohet nga vendi i ngjarjes me veturën e tij të markës ‘’VW Lupo’’, me ç’rast pas pranimit të Raportit të Ekspertimit nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë të datës 23.09.2021 është vërtetuar se kartëmonedha në shumën prej 100 € (njëqind eurosh) është falsifikim i plotë.

“Me këto veprime i pandehuri A.K., ka kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Asnjë koment

Comments are closed.