03-05-2024

Aktakuzë ndaj zyrtarëve komunal të Prizrenit për keqpërdorim pozite

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër L.K., F.K., R.Sh., A.Sh., dhe G.B., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, shkruan GazetaePrizrenit.net.

Gazeta ka kuptuar se bëhet fjalë për Levent Kasëmin (LVV), Drejtor i Shërbimeve Publike, Fejzë Kabashin (LDK), Drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Refik Shaqirit (NDS), Drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi.

Të akuzuar janë edhe Ares Shporta, drejtor i Fondacionit “ Lumbardhi”, i cili ka qenë anëtarë i shoqërisë civile në Komision dhe asambliste nga Nisma Social Demokrate.

Sipas aktakuzës, me datë 18.03.2019, në Prizren, të pandehurit L.K., kryetar i komisionit, F.K., – zëvendës kryetar i komisionit, R.Sh., A.Sh., dhe G.B., anëtarë të komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në bashkëkryerje, duke vepruar në cilësi të personave zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare të tyre të përcaktuara me ligj dhe njëkohësisht i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore, në atë mënyrë që me dashje e kanë shkelur kriterin e vetëm të Ankandit Publik përkatësisht Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së Paluajtshme të Komunës, ku theksohet se procedurat për Dhënien në Shfrytëzim afatshkurtër të pronës së Komunës bëhen përmes Procedurave të Ankandit Publik, dhe se përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar. Komisioni në fjalë ka favorizuar ofertuesen F.B., në dëm të të dëmtuarit A.D., i cili nuk përzgjidhet si përfitues i ankandit edhe përkundër faktit se i dëmtuari kishte kuotuar me çmim më të lartë, gjegjësisht në shumën prej 25.20 euro për m2, për lokalin e evidentuar me nr. 29 i cili gjendet në sheshin Shatërvan në Prizren.

Në kumtesë, thuhet ofertuesja të cilës i është dhënë lokali me qira kishte ofertuar në shumën prej 20.06 euro për m2, e në anën tjetër edhe përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja F.B., nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, Komisioni për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së Paluajtshme të Komunës së Prizrenit, e ka poentuar me pikë maksimale, ndërsa më pas komisioni i ankesave pranë Komunës së Prizrenit e kishte aprovuar ankesën e palës së dëmtuar dhe përmes Vendimit të datës 28.02.2019 duke e kthyer çështjen në rishqyrtim, mirëpo, përkundër faktit të tillë Komisioni përmes njoftimit të datës 01.04.2019 ka potencuar se qëndrojnë prapa njoftimit të datës 17.01.2019 ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve – pronë komunale.

Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit L.K., F.K., R.Sh., A.Sh., dhe G.B., kanë përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, për veprën penale e cila u vihen në barrë. /GazetaePrizrenit.net

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.