23-11-2024

Akuza për korrupsion, dy dënohen me burgim efektiv, dy të tjerë me kusht e një lirohet

Ish-drejtori i Urbanizmit në Komunën e Malishevës, Islam Vrenezi dhe biznesmeni Remzi Mazreku janë dënuar me nga tetë muaj burgim efektiv për korrupsion kurse zyrtarët komunalë Jakup Shurdhaj  e Besnik Krasniqi me nga tetë muaj burgim me kusht. Ndërkaq, është liruar nga akuza Qlirim Karaçica.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur të enjten në Gjykatën Themelore në Gjakovë nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Drilon Haraçia, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj ish-drejtorit Vranezi, përpos dënimit me burgim prej 8 muajsh, i është shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të detyrës në pozitën menaxhuese si drejtor në administratën publike e po ashtu i ndalohet pjesëmarrja në prokurim publik si anëtar, kryetar i komisioneve apo ushtrimi i ndonjë detyre në prokurim publik në kohëzgjatje prej 3 viteve.

Pos me burgim prej 8 muajsh, Remzi Mazreku, si pronar dhe operator ekonomik i ‘’NT Flamuri’’ me seli në Malishevë, iu shqiptua edhe masa për ndalimin e marrjes pjesë në procedura e dhënies së kontratave në prokurimin publik në kohëzgjatje prej 2 viteve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa i akuzuari Jakup Shurdhaj u dënua me burgim me kusht prej 8 muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afat prej 2 viteve nuk kryen vepra tjera penale. Atij iu shqiptua dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të detyrës dhe atë pjesëmarrja në prokurim publik si anëtar, kryetar i komisioneve apo ushtrimi i ndonjë detyre në prokurim publik në kohëzgjatje prej 4 viteve.

Besnik Krasniqi u dënua me tetë muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afat prej 2 viteve nuk kryen vepra tjera penale.

Tutje, të njëjtit iu shqiptua dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të detyrës dhe atë pjesëmarrja në prokurim publik si anëtar, kryetar i komisioneve apo ushtrimi i ndonjë detyre në prokurim publik në kohëzgjatje prej 4 viteve.

Gjithashtu, secili prej tyre veç e veç detyrohen që të paguajnë shpenzimet e paushallit gjyqësor prej në shumë prej 100€ si dhe në emër të shpenzimeve të ekspertit në shumë prej 75€ si dhe në kompensimin e viktimave të krimit në shumën prej 50€.

Ndërsa sa i përket të akuzuarit Qlirim Karaqica në bazë të nenit 363 par.1 dhe par.1.3 të KRPK-së, është liruar nga aktakuza.

I akuzuar në këtë rast ka qenë edhe J.K., mirëpo i njëjti ka ndërruar jetë dhe ndaj tij ka pushuar procedura penale. Kurse, për veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar në bashkëkryerje, akuzohej edhe Valdete Morina, mirëpo ndaj saj është hudhur poshtë aktakuza.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i akuzuari Remzi Mazreku po ngarkohet me veprën penale “veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike”, me arsyetimin se gjatë muajit tetor të vitit 2018, në Malishevë, në cilësi të operatorit ekonomik N.T “Flamuri”, me dashje ka shkelur ligjin e afarizmit.

Aktakuza thotë se J.K, në cilësinë e kryetarit, ndërsa të akuzuarit Jakup Shurdhaj dhe Besnik Krasniqi në cilësinë e anëtarëve të Komisionit, në dokumentin zyrtar- Raportin e Pranimit Teknik të 16 nëntorit 2018, kanë shënuar të dhëna të rreme duke vërtetuar se është përmbushur kontrata me operatorin ekonomik N.T “Flamuri” Për këtë, po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Islam Vrenezi, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Malishevës, akuzohet për falsifikim të dokumentit zyrtar pasi në dokumentin zyrtar-Raportin e Kryerjes së Punimeve, kanë shënuar të dhëna të rreme duke vërtetuar se pas daljes në terren në fshatin Balincë dhe lagjen “Veselaj” janë realizuar punimet në bazë të projektit, kurse Qlirim Karaqica po akuzohet se në cilësinë e zyrtarit në Drejtorinë për Urbanizëm në Malishevë ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare. Detajet nga aktakuza mund t’i gjeni: KËTU/BetimipërDrejtësi

 Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Lexo edhe:

Prizren: Pse Metush Biraj u tërhoq nga aktakuza, përkundër se thoshte se prova ishin të pakontestueshme? (VIDEO)

Asnjë koment

Comments are closed.