Ambasadorja e Kosovës në Izrael: Presim të forcojmë miqësinë tonë
E ngarkuara me punë e Kosovës në Izrael, Ines Demiri, ka arritur në këtë vend.
Ajo lajmin e ka bërë të ditur në llogarinë e saj në Twitter.
“E lumtur të njoftoj për ardhjen time si përfaqësuese e parë. Presim të forcojmë miqësinë tonë me veprime konkrete që do të ndihmojnë dy vendet tona. Ju falënderoj për mikpritjen tuaj të ngrohtë”, ka shkruar ajo.
Ndryshe në kuadër të marrëveshjes ekonomike Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë në shtator të 2020-s në prani të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, u ra dakord edhe për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Izrael.
Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike ndërmjet të dy vendeve.
Kryediplomatja Meliza Haradinaj Stublla dhe homologu izraelit, Gabriel Ashkenazi, në mënyrë virtuale, nënshkruan marrëveshjet për konkretizimin e marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimin mes shteteve në fushën e politikës, ekonomisë e tregtisë.