Amnesty International: Serbia përdori teknologji izraelite për fushatë spiunazhi!
Amnesty International pohoi përmes një raporti të publikuar sot se zyrtarë serbë instaluan programe spiunazhi në telefonat e dhjetëra gazetarëve dhe aktivistëve, e për këtë citon prova dixhitale dhe dëshmi të personave që thanë se ishin hakuar në muajt e fundit.
Në dy raste, softueri i ofruar nga kompania izraelite e mbikëqyrjes, Cellebrite DI Ltd, u përdor për të hapur telefonat, thuhet në raport. Programi spiun serb, i quajtur “NoviSpy” realizoi fotografi të fshehta të pajisjeve mobile, kopjoi kontaktet dhe i ngarkoi ato në një server të kontrolluar nga qeveria.
“Në disa raste, aktivistë dhe një gazetarë raportuan shenja aktivitetesh të dyshimta në telefonat e tyre mobil menjëherë pas intervistave me policinë dhe autoritetet e sigurisë serbe”, nënvizohet në raport. Produktet e Cellebrite përdoren gjerësisht nga forcat e zbatimit të ligjit, përfshirë FBI-në, për të zhbllokuar telefonat inteligjentë dhe për t’i hetuar për prova.
Shefi i marketingut i Cellebrite, David Gee, deklaroi se kompania ka nisur nga ana e saj një verifikim lidhur me akuzat e Amnesty. “Nëse këto akuza janë të sakta, ato mund të përbëjnë një shkelje të marrëveshjes sonë të licencës për përdoruesit”, tha Gee për Reuters. Nëse rezulton të jetë kështu, tha Gee, Cellebrite mund ta pezullojë përdorimin e teknologjisë së saj nga autoritetet serbe. Vendosja e softuerëve të mbikëqyrjes në pajisje “absolutisht nuk është ajo që ne bëjmë”, shtoi ai, duke theksuar se Cellebrite kishte filluar të kontaktonte zyrtarët serbë, por refuzoi të jepte detaje të mëtejshme. Një nga aktivistët e përmendur nga Amnesty në raport tha se kishte vënë re që kontaktet në telefonin e tij ishin eksportuar menjëherë pas një takimi me BIA-n.
Aktivisti i tha Reuters se ua kishte treguar telefonin ekspertëve forenzikë digjitalë, të cilët zbuluan se programi spiun NoviSpy kishte eksportuar kontaktet e tij dhe kishte dërguar fotografi private nga pajisja e tij në një server të kontrolluar nga BIA. Sipas Amnesty, Serbia kishte marrë pajisje për ndërhyrjen në telefonat nga Cellebrite si pjesë e një pakete më të gjerë ndihme për të ndihmuar Serbinë të plotësojë kërkesat për integrim në Bashkimin Evropian. Kjo paketë, e financuar nga qeveria norvegjeze dhe e administruar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS), iu ofrua Ministrisë së Brendshme të Serbisë nga viti 2017 deri në 2021 për ta ndihmuar Serbinë në luftën kundër krimit të organizuar, thuhet në raport.
Qeveria norvegjeze e ndaloi përkohësisht dërgimin e pajisjeve të Cellebrite në Serbi në vitin 2018, tha Amnesty.
Ambasada norvegjeze në Beograd gjithashtu ngriti shqetësime për programin, shtoi raporti, por UNOPS-i përfundimisht dorëzoi pajisjet në qershor të vitit 2019. /tch