23-11-2024

Anëtari i Nismës, Leart Batusha demanton anëtarët e LDK-së rreth përzgjedhjes së drejtorëve

Përzgjedhja e drejtorëve të shkollave në komunën e Prizrenit ka shkaktuar mospajtime dhe përplasje në mes të anëtarëve të subjekteve politike të koalicionit qeverisës, transmeton “gazetaeprizrenit.net”.

Pas publikimit të emrave, të enjten e kaluar, kanë pasuar reagimet, në rrjetet sociale nga një asamblistë e VETËVENDOSJES, që udhëheq pushtetin dhe nga dy të LDK-së që është në koalicion me të. Përkundër këtyre reagimeve, partitë e tyre nuk kanë dalë me një qëndrim dhe duket se reagimet kanë qenë vetëm personale.

Aq më tepër pas deklarimit të Drejtorit të Arsimit, Skënder Susuri (Nisma Socialdemokrate NS), që tha se reagimet ndërlidhen me pakënaqësi të individëve, pasi procesi i përzgjedhjes së drejtorëve ka qenë i rregullt.

Ndërkohë, që LDK në Prizren, nesër pas mbledhjes së kryesisë, pritet të dalë me një qëndrim zyrtar rreth zgjedhjes së drejtorëve, npërmes facebook-ut ka reaguar Leart Batusha, zyrtar i degës së NS-së. Duket se edhe reagimi i tij është individual.

Përmes publikimit të marrëveshjes për lidhjen e koalicionit për balotazh për Kryetarin e Komunës, në nëntor të vitit të kaluar, në mes të VV-së, LDK-së e Nismës ai ka demantuar zyrtarët e LDK-së, të cilën kanë reaguar, duke i përmendur atyre emra konkret nga PDK, të cilët kanë dashur t’i kontrabandojnë si të LDK-së, duke i propozuar për drejtorë, mosrealizimi i të cilëve sipas tij ka shkaktuar pastaj reagimin e tyre.

Batusha ndër të tjera ka shkruar se për t’i demaskuar të gjithë tellallët, do të ofrojë dokumentin përmes të cilit LDK ka tentuar të vënë gisht edhe tek punësimet të cilat shkojnë përmes konkursit, por që “për fat të mirë kryetari aktual Mytaher Haskuka nuk ka rënë në këtë grackë”.

“LDK e cila ka luajtur me dy fytyra në zgjedhjet e fundit lokale. Gjatë balotazhit një marrëveshje të tillë LDK e ka pasur edhe me Shaqir Toten, ajo ka luajtur me dy “karta”. Por më e keqja e gjithë kësaj është që sot në pushtet është pjesa e LDK e cila e ka votuar Shaqën e PDK-së, ndërsa grupi tjetër i LDK të cilët e kanë votuar Myten janë jashtë pushtetit. Për të cilën një përgjegjësi të vogël e ka edhe vet Haskuka”, ka shkruar ai.

Sipas Batushës, LDK në pikën 2 të kësaj marrëveshjeje, të ofruar ka tentuar që të vazhdoj qeverisjen në stilin e PDK-së dhe për këtë dokumenti më poshtë dëshmon më së miri.

Në postimin e tij ai ka thënë se nga 18 të zgjedhurit e fundit në konkurs 8 janë të rizgjedhur, 4 nga drejtorët e mëparshëm nuk kanë konkurruar fare dhe vetëm 4 nga ata aktual janë ndërruar.

“Nuk e di ku po e shihni politizimin këtu?, ka shkuar ai.

Batusha, ndërkaq ka shkuar se kuvendari i LDK-së duhet ta depolotizon dhënien e multi-kultivatorëve dhe farën e misrit si subvencion, të cilin e kanë politizuar dhe ata të cilët nuk janë në LDK, nuk kanë për t’i marrë ato ashtu siç nuk pat edhe një vend pune si Roje Pylli për tjerë të cilët nuk kanë qenë me ta.

Ky publikim ndonëse individual, pritet që nesër të diskutohet në mbledhjen e LDK-së. Mbështetur në zhvillimet e fundit, varësisht nga pozicioni zyrtar i LDK-së me siguri do të ketë edhe deklarim të Nismës Socialdemokrate ose edhe të VV-së./gazetaeprizrenit.net/

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.