24-11-2024

Antidroga në aksion: Konfiskohen mbi 6 kg heroinë e kokainë, në pranga dy persona (Foto)

Rasti i parë:

Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, në bashkëpunim me institucione vendore të sigurisë, me datën 21.08.2024, pas një pune intensive-hetimore në terren, ka ndërmarrë hapa operativë, me ç’rast ka identifikuar një person shtetas të Maqedonisë Veriore, i cili dyshohej se kishte në posedim të gatshëm për shitje një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit heroinë.

Të dyshuarit të lartcekur me veturë substancën e dyshuar narkotike ia kanë sjellë dy persona tjerë, të cilët janë larguar me veturë nga vendi i ngjarjes.

Pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës tek personi i dyshuar janë gjetur 6 (gjashtë) paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë të përgjithshme prej 6.137.6 gramë (6 kilogramë e 137 gramë), ku vlera e substancës së dyshuar narkotike e cila është konfiskuar vlerësohet të jetë rreth 150.000 euro (njëqind e pesëdhjetë mijë euro).

Lidhur me rastin në cilësi të provave materiale janë sekuestruar edhe këto dëshmi tjera materiale:

  • 2 telefon celularë,
  • një veturë,
  • 4305 denarë të Maqedonisë Veriore.

Të gjitha veprimet e ndërmarra dhe dëshmitë e gjetura të sekuestruara janë kryer me autorizimin e prokurorit kujdestar.

Personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të shtetit i dyshuari ndalohet për 48 orë, kurse dy personat e tjerë janë në kërkim policor.

Rasti i dytë:

Me datën 21.08.2024, pas pranimit të disa informacioneve Policia e Kosovës në Ferizaj ka ndaluar për kontroll veturën me targa të huaja, ku gjatë kontrollit të veturës është gjetur një pako e cigareve, në brendi të së cilës ka qenë një qese najloni me substancë të dyshuar si e llojit kokainë. Nën dyshimet se mund të gjendet edhe ndonjë sasi tjetër e narkotikëve është kontrolluar një shtëpi banimi në Ferizaj, ku jeton i dyshuari, mirëpo nuk është gjetur asgjë e dyshuar.

Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar:

  • një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë të përgjithshme 38.62 gramë, vlera e substancës së dyshuar narkotike vlerësohet të jetë rreth 3500 euro.
  • para në monedhë letre 50 euro dhe 1500 kruna suedeze.

Lidhur me rastin, për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori kompetent, me urdhër të të cilit i dyshuari pas intervistimit ndalohet për 48 orë.

Asnjë koment

Comments are closed.