Ai mund të shkojë kësaj rruge, por për këtë duhet të japë më shumë dëshmi. Provën e parë e ka kaluar, duke u bërë njeriu kryesor i LDK-së në Prizren. Por për ta rritur fuqinë dhe ndikimin në parti, atij i duhet ta kthejë primatin e LDK-së në qytetin e bukur jugor të Kosovës. Vetëm atëherë Quni do të mundë të bëhej i rangut të nënkryetarëve, i Agim Veliut të Podujevës, i Lutfi Hazirit të Gjilanit dhe i Haki Rugovës, i cili, megjithatë, siç u vërtetua në zgjedhjet e fundit lokale, nuk po mundet më me lehtësi ta fitojë Istogun.
Por, Qunit, që është edhe deputet i LDK-së, i mbetet për ta treguar veten. Gazeta Express i ka dërguar disa pyetje kryetarit të sapozgjedhur të LDK-së duke e pyetur se çfarë qëndrimi duhet të mbajë ky subjekt për bashkëpunimin politik me PDK-në.
“Mendoj që LDK-ja e ka nxjerrë mësimin nga koalicioni me PDK-në, një ripërtëritje e të njëjtit gabim do të ishte goditja e radhës për LDK-në. Por, janë organet partiake dhe lidershipi i ri që në fund do të vendosin se si do të rrugëtojë LDK-ja në të ardhmen”, tha Quni për Gazetën Express.
“Nëse ju intereson mendimi im personal: JO me PDK-në”, shprehet më prerë ai.
LDK-ja ka përshpejtuar procesin zgjedhor, duke i përfunduar gati zgjedhjet nëpër degë, ndërkohë që tashmë po flitet se gjithçka mund të përmbyllet brenda korrikut, pra edhe zgjedhja e kryetarit.
I pyetur se a do ta përmbyllin procesin zgjedhor më shpejt se që është menduar, deputeti nga Prizreni tha se është me rëndësi që procesi të përmbyllet suksesshëm, kurdo që të ndodhë.
Pra, nga përgjigja e tij vërehet se informatat e mëdha, megjithatë janë ekskluzivitet i “njerëzve të qendrës”.
“… zgjedhjet tona të brendshme po shkojnë drejt përfundimit, por se a do të mbahet Kuvendi këtë muaj apo jo, këtë nuk mund ta them. Varet edhe nga ecuria e përgatitjeve për mbajtjen e Kuvendit. Mendoj që e rëndësishme është që procesi zgjedhor të përmbyllet suksesshëm dhe brenda kornizave të rregullave demokratike”, tha Quni.
Për shumëkënd, edhe brenda LDK-së edhe nga vëzhguesit, Isa Mustafa, edhe pse me gjendje të rënduar shëndetësore, është pretendenti kryesor për kryetar të partisë.
A është i pranueshëm Mustafa edhe për një mandat, sipas Qunit?
“Këtë unë nuk e di, mbetet ne diskrecionin e kandidatëve potencialë të deklarohen”, por shtoi se të gjithë janë të interesuar që “LDK-ja nga ky proces të dalë më e fortë, më e konsoliduar dhe e gatshme për të qeverisur e për t’u prirë proceseve për avancimin e pozitës së qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës”.
Quni shton se në rast se ndodh një marrëveshje brendapartiake për kandidatin për kryetar “nuk ka asnjë të keqe, nëse marrëveshja do të ishte e pranueshme për të gjithë dhe nëse do t’i shërbente stabilitetit partiak”.
“Demokracia e njeh edhe formën e marrëveshjeve të brendshme”, thekson ai.
Aktualisht ai thotë se nuk e di kush janë kandidatët.
“LDK-ja është parti të cilës nuk i mungojnë kuadrot dhe personalitete të profilit të lartë që mund ta drejtojnë partinë suksesshëm. Prandaj, gara zgjedhore te ne është gjithmonë interesante. Pra, nuk e di se kush përfundimisht do ta shpalli kandidaturën në Kuvend, a do të kemi një apo më shumë kandidatë. Nëse do të kemi më shumë kandidatë, vetëm njeri do të zgjidhet, kurse unë e kam vetëm një votë”, përgjigjet ai.
Edhe pse është zgjedhur në krye të LDK-së në Prizren, Qunit nuk i janë shtuar apetitet për më shumë. Ai e pranon se tash që e ka mundur atje Driton Selmanajn, sfidë i mbeten kundërshtarët e partive tjera. Quni thotë se fokusi i tij është rikthimi i LDK-së në Prizren.
“Jo, unë sapo e kam marrë mandatin për ta udhëhequr degën e LDK-së në Prizren. Jam zotuar para delegatëve dhe gjithë anëtarësisë tonë atje se do të fokusohem në angazhim maksimal që ta rikthejmë LDK-në në vendin meritor”, tha ai, duke shtuar se “është e ditur se rëniet në vota janë të lehta, ndërkaq për rikthim e ringritje duhet shumë mund, shumë punë e angazhim”.
I pyetur nga Express se a do të mund LDK-ja ta sigurojë një shumicë gjatë muajit shtator për rrëzimin e Qeverisë, Quni tha se ai vazhdimisht është angazhuar për këtë, por e pranon se nuk kanë arritur t’i sigurojnë numrat.
“Kam bërë përpjekje që t’i sigurojmë votat për rrëzimin e kësaj Qeverie, si më të keqes që nga paslufta, por deri tani, përkundër dëshirës tonë dhe nevojës së madhe për ta nxjerrë vendin nga kjo gjendje dëshpëruese, ne nuk ia kemi arritur t’i kemi numrat e nevojshëm”, duke shtuar se mbetet të shihet në ditët në vazhdim se si do të vazhdohet me këtë iniciativë.
Quni njihet për përplasjet e kohëpaskohshme në Kuvend me rivalët nga PDK-ja. Këtë e ka bërë së fundi edhe me presidentin Hashim Thaçi me të cilin kanë ndërruar fjalë të rënda gjatë seancës ku Komisioni hetimor për rastin e gylenistëve tentoi ta marrë në pyetje shefin e shtetit.
I pyetur nëse LDK-ja vjen shpejt në pushtet, nëse do të merret edhe me Thaçin, presidentin që e kanë zgjedhur vetë, duke tentuar ta rrëzojnë, Quni i ka dërguar porosi kreut të shtetit.
“LDK-së, fillimisht, i duhet besimi qytetar për ta udhëhequr vendin. Nga një pozitë e tillë, besoj që ne do t’i kishim përdorur të gjitha mjetet dhe mundësitë që i lejon Kushtetuta e Republikës së Kosovës për ta mbrojtur vendin nga çdokush që e rrezikon atë, përfshirë këtu edhe presidentin”, tha Quni. /GazetaExpress/