Komuna e Prizrenit ka anuluar aktivitetin e prokurimit për digjitalizimin e shërbimeve dhe proceseve të punës në administratë.
Këtë veprim e ka ndërmarrë pas vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit për anulimin e këtij prokurimi, meqenëse paneli i “gjykatës së tenderëve” ka konstatuar se gjatë procedurës ka pasur shkelje të dispozitave ligjore, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në kuadër të shkeljeve, pos të tjerash, është konstatuar se Komuna nuk ka krijuar kushte për trajtim të barabartë të operatorëve ekonomikë, duke vendosur specifikacione që kanë favorizuar prodhues specifikë.
Njoftimi për anulimin e të gjitha pjesëve të këtij aktiviteti të prokurimit është publikuar të enjten në sistemin elektronik të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik. “Vendimi mbi anulimin e procedurës së prokurimit bazohet në vendimin e OSHP-së nr: 851/19”, thuhet në këtë njoftim të përgatitur nga Zyra e Prokurimit të Komunës së Prizrenit.