Apeli ia vërteton dënimin me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqës për vrasjen e Marigona Osmanit
Prishtinë-Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë i marrë nga Gjykata Themelore e Ferizajt duke konfirmuar se Dardan Krivaqa i akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit, do të vuaj dënimin me burgim të përjetshëm. Gjithashtu, Apeli ka vërtetuar dënimin prej 15 vitesh edhe ndaj Arbër Sejdiu, i akuzuar për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje.
“Gjykata e Apelit e Kosovës, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, të përfaqësuesit të të dëmtuarve M.O. dhe V.O. dhe të mbrojtësve të të akuzuarve D.K. dhe A.S., duke e vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj-Departamenti për Krime të Rënda, me nr. 2021:186679, të datës 26.09.2024”, thuhet në njoftimin e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Apeli ka vlerësuar se pretendimet ankimore të prokurorisë dhe të mbrojtësve të të akuzuarve sa i përket shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, nuk qëndrojnë, e gjithashtu ka konstatuar se nuk ka shkelje tjera të dispozitave të procedurës nga neni 384 të KPPRK, për të cilat shkelje kjo gjykatë kujdeset sipas detyrës zyrtare, e të cilat do të kushtëzonin anulimin e këtij aktgjykimi.
“Kolegji gjykues vlerëson se, gjykata e shkallës së parë ka analizuar të gjitha provat e proceduara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe lidhur me këto prova ka paraqitur konkludimet e saj, të cilat i vlerëson si të drejta, objektive dhe të ligjshme. Sa i përket pretendimeve ankimore lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, kolegji gjykues konstaton se gjykata e shkallës së parë e ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendjen faktike, për shkak se me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se të akuzuarit D.K. dhe A.S., kanë kryer veprat penale të lartcekura, për të cilat janë shpallur fajtorë”, thuhet në vendimin e Apelit.
Ndërsa, sa i përket pretendimeve ankimore lidhur me shkeljen e ligjit penal, Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës së parë drejt dhe në mënyrë të plotë i ka vlerësuar rrethanat të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit, ndërsa në raport me pretendimet ankimore të mbrojtësit të të akuzuarit Krivaqa , duke pretenduar se gjykata e shkallës së parë ka vepruar në kundërshtim me dispozitën e nenit 41 paragrafi 1 dhe 2, sepse e ka pasur të ndaluar dhe të pamundshëm shqiptimin e dënimit të përjetshëm.
“Kolegji gjykues vlerëson se ky pretendim nuk qëndron, ngase dispozita e nenit 41 të KPRK nuk e përjashton mundësinë e shqiptimit të dënimit me burgim të përjetshëm për veprat më të rënda penale, por nuk parashihet si i vetmi dënim kryesor për një vepër penale, andaj në rastin konkret, vlerësuar të gjitha rrethanat rënduese të të akuzuarit, japin bazë të mjaftueshme në arsyetimin e shqiptimit të dënimit me burgim të përjetshëm për të akuzuarin D.k”, thuhet në arsyetimin e Apelit.
Gjykata e Apelit ka gjetur se Themelorja në Ferizaj ka analizuar të gjitha provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësorë duke ardhur kështu në një vendim të ligjshëm dhe objektiv.
Gjykata ka gjetur si të pabazuar pretendimin e mbrojtës së të akuzuarit Krivaqa lidhur me mizorinë pasi që sipas Apelit nga ekspertiza e mjekësisë ligjore janë vërtetuar lëndimet dhe dhimbjet posaçërisht të rënda që ka pësuar e ndjera Marigona Osmani.
Të drejt Apeli e ka konisderuar edhe vendimin kur Themelorja në Ferizaj kishte refuzuar propozimin e mbrojtjes së Krivaqës për ekspertize të re nga Instituti i Psikoatrizë Forenzike me arsyetimin se tashme Krivaqa ka qëndruar në këtë institut dhe se grupi i ekspertëve gjatë qëndrimit kanë përshkruar gjendjen shëndetësore të Krivaqës.
Po ashtu, i pabazuar del të jetë edhe pretendimi tjetër i mbrojtjes së Krivaqës se fjala përfundimtare nuk është përfshirë në vendim pasi që gjykata ka vlerësuar pretendimet ankimore të paraqitura si në fjalën përfundimtare të mbrojtes së Krivaqës.
Apeli tutje ka gjetur se nga provat e administruara në shqyrtim gjyqësorë Krivaqa gjate periudhës kohore prej 48 orësh përmes përdorimi të forcës i ka shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike.
Të pabazuara Apeli ka gjetur edhe pretendimet e mbrojtësit të akuzuarit Arbër Sejdiu pasi që nga provat e administruara Sejdiu e ka dërguar Osmanin në spital së bashku me Krivaqen për ta larguar nga banesa dhe jo për t’i dhënë ndihmë mjekësore.
Po ashtu, Apeli ka gjetur se nga provat e administruara i akuzuari Sejdiu ka parë nga vrima e derës nëse dikush po përcjell atë se çka po ndodh në banesë dhe duke dal disa herë nga banesa për t’i blerë gjëra ushqimore Keivaqës.
Të pabazuara Apeli ka gjetur edhe pretendimet e Prokurorit të Shtetit lidhur me pretendimet për ekzistim të veprës penale të dhunimit për të akuzuarin Krivaqa dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale dhunim nga Sejdiu
Kjo pasi që sipas Apeli, me asnjë provë të vetme nuk është vërtetuar vepra penale e dhunimit dhe në mungesë të veprës së dhunimit nuk ekziston as vepra penale e ndihmës në dhunim.
Lidhur me shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm për Krivaqën dhe 15 vite burgim për Sejdiun gjykata e gjen se është dënim adekuat dhe i bazuar në ligj.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasje e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.
Por, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.
Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa thuhet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.
Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.
Gjithnjë sipas aktakuzës, aty thuhet se i pandehuri Krivaqa fillimisht pa dëshirën e tani të ndjerës ka kryer marrëdhënie seksuale në sallon, pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e kishte dërguar në banjo, nga aty me dhunë e kishte dërguar në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore tani e ndjera Marigona Osmani si pasojë e dhunës së ushtruar kishte humbur aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kishin kryer marrëdhënie seksuale, pastaj i pandehuri Dardan të zhveshur e kishte dërguar në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, par. 4, nënpar 4.1, lidhur me par.1 të Kodit Penal.
Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i pandehuri Arbër Sejdiu më 21 gusht 2021, në banesën e të pandehurit të parë në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje i kishte ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa në kryerjen e veprës penale të dhunimit.
Sipas aktit akuzues thuhet se fillimisht dy të pandehurit kishin kontaktuar përmes telefonit dhe ishin takuar në qytet, pastaj së bashku ishin kthyer në banesë, ku i pandehuri Arbër posa kishte arritur, duke qenë në dijeni se i pandehuri Dardan është duke e dhunuar tani të ndjerën Marigona Osmani, me dashje kishte marrë veprime me të cilat lehtësohet kryerja e dhunimit.
Tutje thuhet se dy të pandehurit së bashku kishin hyrë në dhomën ku kryhet dhunimi, e ku e ndjera ishte e zhveshur, e të cilin veprim gjatë qëndrimit në banesë e merr disa herë, po ashtu dhe gjatë asaj kohe kishte përcjellë gjendjen nëse ndonjë nga banorët është duke lëvizur aty pari.
Siç e përshkruan aktakuza, i pandehuri Arbër Sejdiu po ashtu edhe disa herë kishte dalë nga banesa për të blerë gjëra ushqimore, ndërsa gjatë gjithë kohës dy të pandehurit kishin biseduar mes vete, kështu tutje, të pandehurit Dardan Krivaqa i kishte dhënë telefonin për të thirrë kompaninë e cila menaxhon kamerën, që ishte e vendosur në korridorin e banesës me qëllim që të fshihen video-incizimet, gjegjësisht provat e veprës penale.
Me këtë, Sejdiu akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e dhunimit” nga neni 227, par 4, nënpar. 4.1, lidhur me par. 1 dhe nenin 33 të Kodit Penal.
Kjo aktakuzë në dispozitivin e III-të, dy të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu i ngarkon për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.
Aty thuhet se më 22 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaqa, në rrugën “Ramadan “Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi e kanë privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën i pandehuri i parë ishte në bashkësi jashtëmartesore.
Tutje, sipas aktakuzës, përshkruhet se në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë kishte marrë një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë kishin hyrë në dhomë dhe kishin filluar ta godasin tani të ndjerën në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike, ku nga goditjet e njëjta ka pësuar politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme, thyerja e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.
Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par. 1, nënpar. 1.3, 1.4 dhe 1.7, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Kujtojmë se më 29 prill 2024, Gjykata Themelore në Ferizaj njoftoi se në një rast tjetër, Krivaqa u dënua me 4 vjet burgim për grabitje në një kazino. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.