14-09-2026

E fshehur në kontejner me mish pule, kapen 41 kilogramë kokainë në Durrës

Një tjetër tentativë për trafikimin e kokainës përmes Portit të Durrësit është goditur nga Policia e Shqipërisë.

Në kuadër të operacionit “Anchor 3”, autoritetet kanë sekuestruar 41 kilogramë e 350 gramë kokainë, me vlerë të përllogaritur rreth 2 milionë euro në treg.

Droga u zbulua gjatë kontrollit të një kontejneri me origjinë nga Brazili, i cili sipas dokumentacionit transportonte mish pule. Gjatë kontrollit u gjetën 37 paketime me lëndë të dyshuar si kokainë, të fshehura në pjesën e jashtme të kapakëve të kontejnerit.

Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Durrës, në bashkëpunim me strukturat e Policisë Kufitare dhe Doganës.


Ky është rasti i tretë brenda një muaji që autoritetet shqiptare zbulojnë tentativa për trafikimin e drogës përmes Portit të Durrësit.

Hetimet vijojnë për të zbardhur origjinën dhe destinacionin e kokainës, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e personave të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Asnjë koment

Comments are closed.