23-04-2024

Apeli merr vendim për qytetarin që e fotografoi votën më 6 tetor

Gjykata e Apelit, Departamenti për Krime të Rënda, ka refuzuar ankesën e të akuzuarit për cenim të fshehtësisë së votimit, Xhemajl Kadiri, duke vërtetuar kështu aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë.

Ai akuzohej se në vendvotimin e vendosur në shkollën e mesme “Xhelal Hajda”, në mënyrë të kundërligjshme e cenon fshehtësinë e votimit, ashtu që përkundër faktit se njoftohet nga komisionerët se fotografimi i fletëvotimit është i ndaluar, i pandehuri përgjigjet “se kjo është e drejtë e imja”, dhe e fotografon votën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë, Gjykata Themelore në Gjakovë më 10 mars 2020 kishte marr aktgjykim me të cilin Kadirin e kishte shpallur fajtor, me ç’rast ndaj tij kishte shqiptuar dënim me kusht në kohëzgjatje prej 4 muajsh.

Sipas Themelores, dënimi me burgim nuk do të ekzekutohej nëse i akuzuari nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej një viti.

Por, i pakënaqur me aktgjykimin e shkalës së parë kishte qenë i akuzuari, i cili përmes ankesës kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit që aktgjykimi e shkallës së parë të prishet dhe çështjen ta kthejë në rivendosje, apo ta ndryshojë aktgjykimin dhe të akuzuarin ta lirojë nga akuza.

Kjo me pretendimin se aktgjykimi i shkallës së parë është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, si dhe nuk është vërtetuar drejtë gjendja faktike.

Përmes ankesës ai ka kërkuar edhe zbutjen e dënimit, me pretendimin se dënimi i shqiptuar është tejet i lartë.

Por sipas Apelit, një ankesë e tillë është e pabazuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata e Apelit e Kosovës i refuzoi si të pabazuara pretendimet ankimore të mbrojtësit të akuzuarit lidhur me sanksionin penal, ndërsa aktgjykimin e atakuar e vërtetoi me bindje se me dënimin e shqiptuar nga ana e gjykatës së shkallës së parë do të arrihet qëllimi i dënimit”, thuhet në aktgjykim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 29 tetor 2019, Xhemajl Kadiri ngarkohej me veprën penale “cenim i fshehtësisë së votimit” nga neni 215 paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 6 tetor 2019, rreth orës 10:00 në Rahovec, pikërisht në vendvotimin 1602A/03D të vendosur në shkollën e mesme “Xhelal Hajda”, në mënyrë të kundërligjshme e cenon fshehtësinë e votimit në zgjedhjet nacionale të vitit 2019 për deputetë në Parlamentin e Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se në ditën kritike pasi ka plotësuar fletëvotimin, me telefonin e tij e ka fotografuar dhe pasi është njoftuar nga ana e komisionerit zgjedhor të vendvotimit se fotografimi i fletëvotimit është i ndaluar, i pandehuri përgjigjet “se kjo është e drejtë e imja”, ku për rastin më pas është njoftuar policia dhe i njëjti është arrestuar.

Asnjë koment

Comments are closed.