24-11-2024

Apeli vërteton aktgjykimin lirues për ish-drejtorin e Administratës në Prizren

Gjykata e Apelit, ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, dhe ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, e cila më 30 maj 2023, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj ish- drejtorit të Administratës në Prizren, Ilir Baldedaj, lidhur me akuzën për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Ndryshe, Baldedaj në gjykimin e parë më 15 janar 2021 ishte dënuar me 10 muaj burgim efektiv, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Edhe në gjykimin e dytë, Baldedaj nga ish-gjykatësi Xheladin Osmani, më 2 gusht 2022, u dënua me 10 muaj burgim efektiv dhe si dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksioneve publike në administrate ose shërbime publike në afat prej 2 vite. Por, Apeli e ktheu rastin në rigjykim, e që më 30 maj 2023 u shpall aktgjykim lirues ndaj tij.

Kundër vendimi të 30 majit 2023 të Themelores, ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Prizren për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetim i gabueshëm ose jo i plotë i gjendjes faktike, duke propozuar që aktgjykimi të prishet dhe çështja të kthehet në rigjykim ose të akuzuarin ta shpallë fajtor.

E në vendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ankesa e Prokurorisë Themelore në Prizren është refuzuar si e pabazuar, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren është vërtetuar.

Apeli kishte gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se i njëjti është i qëndrueshëm, ngase është në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Apeli ka vlerësuar se nuk ishte në kompetencat e të akuzuarit Baldedaj për të bërë shpërndarjen e laptovëve, për t’u konsideruar se i njëjti nuk ka përmbushur detyrën e tij siç pretendonte Prokuroria.

“Kolegji më në detaje ka parasysh për të vlerësuar, se cilat ishin kompetencat e të pandehurit, a ishte ky me ndonjë vendim i ngarkuar për të bërë shpërndarjen e llap topave te asamblistët për tu konsideruar se nuk i ka përmbushur detyrat e tij siç prokuroria e ngarkonte të akuzuarin. Nga shkresat e lëndës, nuk rezulton se i pandehuri ishte i ngarkuar me detyra të tilla të punës për tu konsideruar se nuk i ka përmbushur, rrjedhimisht drejtoria e administratës nuk është në kuadër të kuvendit komunal”, thuhet në vendim.

Gjykata e shkallës së dytë ka gjetur se kthimi i laptopëve nuk bie në domenin e veprimit inkriminues, por se kjo është çështje administrative.

“Kolegji vlerëson se edhe sikur i pandehuri të kishte një detyrim të tillë për shpërndarjen e Llap topave që nga provat rezulton se ai nuk kishte detyrën e tillë, fakti se në vërtetim nuk ka konstatuar se me përfundimin e mandatit duhet të kthehen Llap Topat, ky fakt nuk ka të bëjë fare me veprim inkriminues, ngase në rregulloren 02/2013 për menaxhimin e pasurisë jo financiare neni 3 paragrafi c) që rregullon pasuritë jo financiare, përcakton se: Pronësia dhe përfitimet mbeten te organizata buxhetore” çka nënkupton se edhe me konstatimin e tillë edhe në mungesë të konstatimit vet akti ligjor përcakton se çdo pasuri jo financiare mbetet në pronësinë e organizatës buxhetore – në rastin konkret të Komunës se Prizrenit, rrjedhimisht mungesa e një konstatimi të tillë në vërtetim nuk bie ne domenin e veprimit inkriminues, por ka të bëjë me aspektin administrativ”, thuhet në vendimin e Apelit.

Sipas vendimit, nuk është provuar qëllimi se i pandehuri Baldedaj ka dashur të marrë ndonjë laptop për vete ose t’i bëjë dëm komunës dhe se ekspertiza ka vërtetuar se nuk ka pasur dëm ndaj Komunës së Prizrenit.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 21 gusht 2019, i pandehuri Ilir Baldedaj, akuzohej për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Baldedaj, akuzohej se më 13 maj 2018 e deri më 22 maj 2018, në cilësinë e personit zyrtar si drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i ai ka bërë shpërndarjen e pasurisë jofinanciare, laptopë dhe çanta të tyre, për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë, nga sasia totale prej 43 sosh dhe në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik.

Sipas aktakuzës, Baldedaj akuzohej se ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë si dhe Rregulloren e Ministrisë së Financave, nr.02/2013 për menaxhimin e pasurisë jofinanciare në organizata buxhetore.

Në aktakuzë thuhej se për tre laptopë të tjerë nuk ka prova se ata u janë shpërndarë personave për të cilët kanë qenë të destinuar, me ç’rast thuhet se me këto veprime i njëjti buxhetit të shtetit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 19 mijë e 350 euro.

Ndryshe, Ilir Baldedaj ishte i ngarkuar edhe në një rast tjetër për korrupsion, mirëpo Gjykata Themelore në Prizren e ka liruar nga akuza, e të njëjtin aktgjykim e ka vërtetuar Gjykata e Apelit./BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.