27-07-2024

Gjykata Themelore anulon vendimin e Qeverisë për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve

Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka aprovuar në tërësi kërkesëpadinë e paditëses- Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, ndërsa ka anuluar si të kundërligjshëm vendimin e të paditurës- Qeveria e Republikës së Kosovës, për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të 23 nëntorit 2022, duke e lënë kështu në fuqi vendimin e 12 shkurtit 2020.

Me vendimin e 13 tetorit 2023, Gjykata ka vlerësuar se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë nuk mund të ulen gjatë mandatit të tyre, pasi që janë të drejta të fituara dhe të garantuara me ligj dhe si të tilla nuk mund të cenohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata në frymën e Kushtetutës së Republikës se Kosovës, dispozitave ligjore të lartcekura, Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, instrumenteve ndërkombëtare dhe praktikave gjyqësore të vendeve të ndryshme evropiane erdhi në përfundim se, vendimi kontestues i të paditurës nuk është i bazuar në ligj, andaj gjykata, kërkesëpadinë e paditëses e aprovoi si të bazuar duke anuluar vendimin e të paditurës, Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 23.11.2022, me numër të referencës Nr.03/109, si të kundërligjshëm dhe duke lënë në fuqi vendimin i datës 12.02.2020 me numër 01/02 , e nxjerr nga Qeveria e Republikës se Kosovës, ashtu si në dispozitiv të këtij aktgjykimi”, thuhet në vendimin e Themelores.

Ky aktgjykim, thuhet se zëvendëson aktin administrativ të anuluar dhe ka karakter detyrues për palët.

Asnjë koment

Comments are closed.