27-07-2024

Kush e ka organizuar sulmin paramilitar terrorist në Banjskë? Deklarohet Kryeministri Kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit, i cili ndodhin më 24 shtator e ka organizuar Klani i Novi Sadit.

Sipas tij, në krye të këtij sulmi ndodhet ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Sipas tij, grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë.

“Rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi. Ndoshta e rastësishme, hetimet duhet ta tregojnë. Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS.”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka kujtuar se para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash sipas tij, vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit.

“Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin”, ka shkruar tutje Kurti.

Sipas Kurtit në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj.

Mirëpo, Kurti ka thënë se Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi.

“Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar”, ka theksuar Kurti./BD

Asnjë koment

Comments are closed.