Shpallet fituesja e ankandit të parë të energjisë nga era me kapacitet prej 98 MW
Ministria e Ekonomisë ka përmbyllur me sukses ankandin e parë të energjisë nga era në Republikën e Kosovës, duke shpallur fituese kompaninë franceze AKUO Energy SAS, me kapacitet të ofruar prej 98 MW dhe me çmim prej 75.94 euro për megavatorë (MWh).Çmimi fitues është 5.31% më i ulët se çmimi tavan prej 80.20 euro/MWh, i përcaktuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Realizimi i këtij projekti pritet të sjellë një investim prej rreth 150 milionë eurosh në sektorin e energjisë në Kosovë, duke shtuar kapacitetet vendore të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, duke kontribuar në uljen e varësisë nga importi i energjisë elektrike, rritjen e sigurisë së furnizimit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Pas suksesit të ankandit të parë solar prej 100 MW, përmbyllja e suksesshme e ankandit të parë të erës shënon një tjetër hap të rëndësishëm në realizimin e objektivave të Strategjisë së Energjisë 2022–2031 dhe dëshmon interesimin e investitorëve ndërkombëtarë për investime në sektorin e energjisë në Kosovë.
Hapi i radhës në këtë proces është nënshkrimi i marrëveshjeve të projektit, të cilat do të përcaktojnë të drejtat dhe obligimet e palëve për realizimin e këtij investimi.

Ankandi i parë i energjisë nga era është zhvilluar me mbështetjen e Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore, dhe me mbështetjen e Qeverisë së Luksemburgut përmes LuxDev – Luxembourg Development Cooperation Agency

Ministria e Ekonomisë mbetet e përkushtuar në zhvillimin e kapaciteteve të reja energjetike përmes proceseve konkurruese dhe transparente, duke siguruar çmime konkurruese të energjisë, tërheqjen e investimeve private dhe një të ardhme energjetike më të sigurt dhe më të pastër për qytetarët e Kosovës.
![]()
