Prizren, 26 nëntor 2026 / Policia ka shqiptuar gjithsej 1,100 euro gjoba ndaj një kompanie dhe drejtuesit të kamionit, pasi ky i fundit kishte ndotur rrugën e asfaltuar me baltë në fshatin Landovicë të Prizrenit.
Rasti është evidentuar më 25 nëntor, gjatë patrullimit të rregullt të zyrtarëve policorë të Stacionit Policor Prizren-Veri, raporton Gazeta e Prizrenit.
Pas verifikimeve në vendin e ngjarjes, është konstatuar se shoferi nuk kishte pastruar rrotat e kamionit para se të dilte nga terreni me baltë në rrugën e asfaltuar.
Si pasojë, rruga ishte ndotur, duke rrezikuar sigurinë e pjesëmarrësve në komunikacion.
Për këtë shkelje, kompanisë pronare të kamionit i është shqiptuar gjobë prej 1,000 eurosh, ndërsa shoferit 100 euro.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe parandalimin e veprimeve që rrezikojnë sigurinë publike dhe atë në komunikacion.




