23-11-2026

Dimri po troket: Reshje gjatë javës, temperaturat zbresin deri në -7 °C – ja çfarë moti pritet

Dita e hënë u dominua nga zonat me presion të ulët atmosferik, si pasojë e qendrës ciklonike që kaloi mbi Serbi. Gjatë orëve të para të 24-orëshit pati rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh.

Po ashtu, u regjistruan edhe stuhi ere nga drejtimi i jugperëndimit. Ndërsa nga orët e mëngjesit e deri rreth mesditës, vendi u përshkua nga depërtimi i një fronti të ftohtë. Përveç reshjeve të shiut, ky front solli edhe reshje të pakta bore në disa zona të ulëta të Rrafshit të Kosovës, përfshirë edhe Prishtinën, ndërsa era ndryshoi drejtim, duke fryrë nga veriu.

Të martën do të vijojë mot me diell, por i ftohtë, ndërsa mëngjesi do të karakterizohet nga temperaturat e ulëta dhe acari.

Të mërkurën, orët e para të mëngjesit pritet të karakterizohen nga moti i kthjellët, por gradualisht do të ketë shtim të vranësirave nga perëndimi. Ato gjatë ditës do të dendësohen, duke sjellë reshje të reja, kryesisht në orët e vona të mbrëmjes. Reshjet fillimisht mund të paraqiten në formë bore apo shiu të ngrirë, përpara se të shndërrohen në shi gjatë orëve vijuese të natës, si pasojë e depërtimit të masave më të ngrohta ajrore.

Të enjten dhe të premten parashikohet mot kryesisht i vranët, me reshje lokale shiu herë pas here, të cilat në momente të caktuara pritet të jenë në formë rrebesheve. Temperaturat do të shënojnë ngritje.

Të shtunën pritet të depërtojë një tjetër masë e ftohtë ajrore, ndërsa moti do të karakterizohet nga vranësirat dhe reshjet lokale të shiut dhe borës.

Asnjë koment

Comments are closed.