24-11-2024

Apeli vërteton vendimin për refuzimin e masës së paraburgimit ndaj 12 zyrtarëve të ATK-së dhe biznesmenit Pulaj

“Refuzohen si të pabazuara ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda… të datës 16 janar 2024 dhe ankesat e mbrojtësve të pandehurve, avokatëve: Fitim Shabani, Vehbi Beqiri, Hajzer Salihu, Bedri Abdullahu dhe Majlinda Sadikaj-Xhemnica, të paraqitura kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, të datës 11 janar 2024, ndërsa aktvendimi i ankimuar vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit.

Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë me 11 janar 2024 kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit, duke i caktuar masën tjetër, atë të ndalimit të qasjes dhe ofrimit në objektet e Agjencisë Tatimore të Kosovës (ATK).

Ndryshe, në vendimin e Apelit ndër të tjera thuhet se pretendimet ankimore të Prokurorisë Themelore në Prishtinës dhe avokatëve të lartcekur janë të pabazuara.

Tutje, në vendimin e Apelit thuhet se Themelorja drejtë ka arsyetuar dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale kusht ky që është llogaritur për caktimin e masës së ndalimit për t’iu ofruar vendit apo personit të caktuar.

Sipas Apelit kjo masë e caktuar nga Themelorja është caktuar konform dispozitave ligjore, duke llogaritur në tërësi peshën e veprës penale, mënyrë dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale.

Prandaj, në fund Apeli ka theksuar se Themelorja drejtë ka vepruar kur të pandehurve u ka refuzuar masën e paraburgimit dhe ka caktuar masën e ndalimit të objektit apo personave në ATK deri në 500 metra.

Më 9 janar 2024, Policia e Kosovës kishte arrestuar 12 zyrtarët e ATK-së: Masar Zejnullahu, Nesim Bajrami, Safet Temaj, Avdi Jakupi, Muhamet Rafuna, Murtet Zeqiri, Milaim Berisha, Gazmend Gjocaj, Adil Paqarizi, Vllaznim Krasniqi, Agim Ramaj, Xhemaj Herteica dhe biznesmenit Fehmi Pulaj.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit dyshohet se me veprimet e tyre të kunderligjshme kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 2.8 milionë euro.

Asnjë koment

Comments are closed.