Arkitektët më të mëdhenj të personalitetit të fëmijës janë prindërit

Shkruan: Batjar Halili, psikolog

Ditëve të fundit dëgjuam shumë zëra në drejtim të mësimdhënësve, duke akuzuar që puna e tyre është e lidhur me mossuksesin e fëmijëve të tyre. Kur flasim për ndërtimin e strukturës së personalitetit të fëmijës, këtu bëjnë pjesë një organizim i tërë shoqëror pa përjashtuar mësuesit në këtë rast. Por projektuesi më i mirë është prindi me veprimet dhe qëndrimet që bën për të drejtuar timonin e orientimit të fëmijës drejt rolit që ai do të marrë në shoqëri në moshën e rritur.

Qëndrimi i prindërve ndaj fëmijës përcakton se si fëmija do të jetë në të ardhmen dhe është shumë efektiv në personalitetin, zhvillimin mental dhe social të tij.Mjafton që të bëjmë një diskutim me secilin prind që vjen në shkollë dhe diskuton për fëmijën e tij  dhe pa qenë ndonjë profesionist i madh mund ta kuptosh pse gjendja e çdo fëmije është ashtu siç është.

Adoleshenca është periudha e mbarimit të fëmijërisë dhe urë kalimi për në moshën e rritur. Por deri në mbarimin e kësaj periudhe bashkërenduesi i problemeve dhe sfidave fëmijërore janë prindërit dhe roli që ata luajnë, qëndrimet që mbajnë ndaj fëmijëve të tyre, dashuria që u japin, sa dëgjohen ata për shqetësimet që fëmijët paraqesin, sa respektohen, sa përkrahen në të mirat dhe të këqijat që ata i përjetojnë, sa dëgjohen shqetësimet e tyre, të gjitha këto dhe të tjera, janë ato që ndikojnë në atë që do të bëhet ai në moshën e rritur.

Për këtë arsye them nëse përkrahet rritja e pagave të mësimdhënësve nuk do të bëhej asnjë mëkat,veçse do të ishte një indikator pozitiv për fëmijët tuaj që të kuptonin se, duke përkrahur mësuesin tregojmë vlerat tona shoqërore dhe dinjitetin tonë moral dhe kombëtar, tregojmë se sa dimë t’i respektojmë njerëzit e dijes.

Nëse dikush mendon që ngritja e cilësisë në arsim lidhet drejtpërdrejtë me mësuesin ky është një gabim ose pamundësi e prindërve për të rezonuar drejt dhe mosnjohja e akterëve që çojnë drejtë suksesit të mësimdhënies dhe mësimnxënies. Nëse i kundrojmë kushtet që kanë patur deri më sot mësimdhënësit e Republikës së Kosovës, kjo tregon që ata janë në nivelin më të mirë të mundshëm sepse brenda kushteve shumë të dobëta, shumë nxënës nga Republika jonë kanë dhënë rezultate të mira në vende të ndryshme dhe kanë qenë konkurrent më vendet me traditë në zhvillimin shkencor. Por kjo ka ndodhur falë vullnetit të mësuesve dhe jo falë plotësimit të kushteve, kushte të cilat i kanë vendet e ndryshme të botës, ku mësuesi ka vlerësimin dhe personalitetin krahasueshmërisht me pozitën e mbretit.

Nuk është mësuesi me qëndrimin e tij autoritar dhe represiv i fëmijës tuaj të dashur prindër

Në këtë qëndrim të parë në strukturat tradicionale të familjes, kontrolli është i lartë dhe ndjeshmëria është e ulët. Karakteristikat e personalitetit, interesat dhe kërkesat e fëmijës nuk merren në konsideratë nga ana e prindërve. Ekziston vetëm një formë e disiplinës me anë të së cilës prindërit vendosin komunikimin me fëmijët e tyre. Dhe ajo është forma në të cilën fëmija pritet t’i bindet rregullave të përcaktuara pa asnjë shpjegim nga prindi. Metoda e përdorur në edukimin e fëmijës është dënimi. Denimi do të thotë që fëmija është i privuar nga dashuria ose është i ndëshkuar psikologjikisht, por edhe në shumë raste të tjera raportohet edhe ndëshkimi fizik, d.m.th sipas mendësisë patriarkale dhe të vjetruar prej kohësh , por që fatkeqësisht vazhdon të aplikohet, sipas shprehjes popullore; shuplaka e prindit është“ilaç”.

Qëllimi i dënimit këtu nuk është të formojë sjellje të re pozitive, por të eliminojë sjelljen e padëshiruar. Fëmijët dënohen vazhdimisht. Edhe nëse fëmija është pozitiv, është sharmant, di të bëjë ekzibicione fjalësh, ka nevojë të kalojë stadin e tij si fëmijë, ai nuk mund të thotë këto gjëra për shkak të frikës së ndëshkimit ose edhe nuk e dëgjon prindi sepse sipas tij ai ka për detyrë vetëm për t’i dhënë bukën, ujin, veshjen, fjetjen dhe mjafton me kaq, të gjitha kushtet mendon që ia ka plotësuar.

Për shkak se sjelljet pozitive të ekspozuara janë injoruar dhe kritikuar. Dashuria dhe ngrohtësia nga ana e fëmijës nuk shfaqet nga frika e dëmtimit nga këta prindër që mendojnë vetëm për bukën dhe ujin dhe harrojnë që fëmija i tyre ka nevojë edhe për dashurinë e prindit, edhe për aromën e trupit të tij, edhe për qeshjen e fytyrës, edhe atëherë kur këta prindër kanë “fytyra negative” për fëmijën  ajo fytyrë është melhem për shpirt.

Me një lloj qëndrimi prindëror ekstremisht autoritar, prindërit shtypin dëshirat e fëmijëve ndërsa rritin ata sipas modeleve të tyre. Nuk ka pothuajse asnjë komunikim verbal ndërmjet prindërve dhe fëmijëve. Fëmijët nuk mund të jenë pjesë aktive e bisedave dhe vendimeve që realizojnë prindërit. Në komunikimin apo mospërputhjet midis babait dhe fëmijës shpesh mbrojtës bëhet nëna. Fëmijët që janë të ekspozuar ndaj këtij qëndrimi shpesh kanë probleme të lehta për t’i kuptuar, jo vetëm nga mësuesi e profesionisti, por edhe nga dikush që kupton shumë pak nga fusha e edukimit.

Fëmijët që jetojnë dhe zhvillohen me këto qëndrime prindërore, janë pasivë ndaj prindërve, sepse ata kanë frikë se mund të jenë objekt keqtrajtimi, por zhvillojnë ndjenjat e armiqësisë ndaj tyre. Për shkak se këta fëmijë përjetojnë një lloj shpërdorimi emocional, ata mund të jenë në gjendje të tregojnë dhimbjen e tyre duke dëmtuar veten (duke heshtur, duke mallkuar veten pse zoti i ka lindur nga ata prindër). Ata janë gjithmonë stresues për shkak “të papërsosmërive” të tyre të vazhdueshme dhe gabimet që ata bëjnë janë më të theksuara, sa herë ju kërkohet medoemos arritja e këtyre “përsosmërive” , që në thelb janë të pa arritshme.

Ata i shohin me dyshim edhe për ata njerëz të cilët sillen mirë me ta, sepse iu kanë  nënshtruar tashmë sjelljes së keqe të prindërve të tyre. Ata ndihen të pavlerë, sepse nuk marrin miratim. Ata shprehin emocionet dhe mendimet e tyre të shtypura kundër nënës dhe babait, duke shfaqur sjellje agresive ndaj vetes. Ata jetojnë jetën e tyre si njerëz të turpshëm që nuk i besojnë vetes. Meqenëse ata ndëshkohen kur bëjnë gabime, ata e pranojnë pikëpamjen se ata që bëjnë gabime duhet të dënohen. Fëmijët që rriten me këtë qëndrim e kanë të vështirë të shprehin ndjenjat dhe mendimet e tyre në jetën e tyre shoqërore, sepse nuk kanë pasur që në fëmijëri të drejtë që të flisnin në familjet e tyre dhe zgjedhin të punojnë në punët që mund të mbikëqyren nga të tjerët.

I paqëndrueshëm dhe i pavendosur

Ky qëndrim ndodh kur prindërit nuk i trajtojnë fëmijët në mënyrë të barabartë si rezultat i dallimeve të mendimit midis prindërve, ndryshueshmërisë së gjendjes së prindërve, rendit të lindjes dhe gjinisë. Njëri prej prindërve është i dhembshur dhe tepër tolerant, tjetri është i ashpër dhe autoritar. Për shembull, kur nëna miraton sjelljen e një fëmije, babai nuk e miraton atë, dhe kjo ndodh shpesh. Në këtë qëndrim, prindërit mund të japin reagime të ndryshme për të njëjtat sjellje në kohë të ndryshme.

Një shembull i këtij qëndrimi është rasti nëna nuk lejon asgjë kur ajo është e zemëruar, por kur ajo është e qetë, lejon që fëmija të bëjë atë që do. Ose tek neve në shkollë shpesh për gjendjen e fëmijës vjen nëna dhe babës i raporton ashtu si i thotë fëmija, sepse fëmija ndërton raportin më nënën, por autoriteti babës është shtypës. Në këtë mënyrë prindi, në rastin konkret babai, mbetet i keqinformuar ose i pa informuar fare, për shkak të manipulimit të nënës nga fëmija.

Në këto familje, qëndrimet e prindërve shkojnë mes tolerancës ekstreme dhe dënimit të ashpër. Rrjedhimisht prindërit janë të pasigurtë se kur duhet të zbatohet disiplina dhe kur jo. Prandaj në këto raste krijohen disa standarde të gjykimit dhe trajtimit të fëmijëve dhe kjo bën që fëmija të mos mund të përcaktojë se cila sjellje është e dëshiruar dhe ku. Fëmijët të cilët janë rritur me qëndrime prindërore të ndryshme, nuk mund të mbrojnë veten e tyre, nuk janë të qetë në asnjë mjedis, nuk mund të shprehin hapur pikëpamjet e tyre, përjetojnë konflikte të brendshme dhe mësojnë të mos i besojnë, së pari prindërve, por as njerëzve të tjerë. Ata jetojnë si të rritur të paqëndrueshëm, të cilët dyshojnë për gjithçka dhe tek të gjithë.

( Autori është profesor i Psikologjisë në gjimnazin “Gjon Buzuku” të Prizrenit )