18-05-2024

Arrestohen dy persona për mashtrim në fshatin Bishtazhin

Pas një pune operative hetimore në terren, sot rreth orës 03:00 të mëngjesit të hershëm, në fshatin Bishtazhin nga Policia e Gjakovës janë arrestuar dy të dyshuar (Sh. H. dhe B. D.) të cilët duke e përdorur një dritë vezulluese e kanë ndaluar një qytetar në Krushë të Vogël të Prizrenit, përderisa i njëjti po udhëtonte me veturën e tij.

Sipas policisë, të dyshuarit janë prezantuar si zyrtarë policorë, duke kërkuar para nga viktima. Pasi që viktima ka dyshuar në prezantimin e tyre, ka kërkuar që të njëjtit të identifikohen me kartela zyrtare.

Të dyshuarit në pamundësi të prezantimit të kartelave zyrtare, duke parë se mashtrimi i tyre nuk po funksionon, kanë ikur në drejtim të Gjakovës.

“Falë bashkëpunimit të mirë të qytetarëve, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren dhe Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës, të dyshuarit janë arrestuar. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale nga ana e  njësive relevante policore, duke përfshirë intervistimin e personave  të dyshuar”, thuhet në njoftimin e Policisë në Prizren.

Me vendim të prokurorit të dyshuarve ju  shqiptohet masa e ndalimit policor për 48 orë./GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.