25-11-2024

Arrestohet i shumëkërkuari për mashtrime me kriptovaluta, shumë kosovarë ranë pre e tij

I shumëkërkuari që njihet për mashtrime me kriptovaluta tashmë ka rënë në prangat e Policisë së Kosovës. Nën dyshimet se ka përfituar shuma të majme parash bashkë me anëtarë të tjerë të një grupi kriminal, i dyshuari Fitim Cakolli do të përballet me plot denoncime të kosovarëve që kanë rënë pre e tij, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 33-vjeçari nga Kamenica, Fitim Cakolli, është prangosur mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e Pejës.

Sinjali ka siguruar edhe fotografinë e Fitim Cakollit, i cili shumë shpejt pritet të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake.

Pas arrestimit dhe shoqërimit në stacion policor, Cakolli është intervistuar nga hetuesit policorë dhe ndaj tij është lëshuar urdhri për ndalim policor, me vendim të Prokurorit të Shtetit.

Në fund të muajit gusht, Policia ka arrestuar shokun e Cakollit, me të cilit dyshohet se kanë përfituar kundërligjshëm mbi 50 mijë euro, me premtime të rrejshme për investime në kriptovaluta.

Personi që ra pre e të dyshuarve e ka denoncuar rastin dhe si rezultat fillimisht është arrestuar Fatlum Ramabaja.

I njohur për mashtrime me kripto, Fitim Cakolli, qe një kohë të gjatë ka qëndruar në arrati, përkundër që ndaj tij ka pasur denoncime të vazhdueshme – për çka Sinjali ka raportuar.

Kujtojmë se sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që me anë të paraqitjes së rreme të fakteve apo duke fshehur faktet ose në çfarëdo mënyre tjetër mashtruese dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëm material personit tjetër, “e mashtron apo vazhdon lajthimin e personit tjetër dhe me këtë e nxit një person që të kryej apo të mos kryej një veprim, i cili rezulton në dëm material të pasurisë së tij/saj apo të pasurisë së personit tjetër ose rezulton në dobi pasurore të kundërligjshme, për veten apo personin tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) muaj deri në pesë (5) vjet.”

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.