19-05-2024

Arrestohet mësimdhënësi në Mamushë nën dyshimin për ushtrim të forcës fizike ndaj nxënësve

Policia e Kosovës (PK) njofton se ka arrestuar mësimdhënësin A.K në Mamushë, nën dyshimin për ushtrim të forcës fizike ndaj nxënësve.

Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi për medie nga policia, ku thuhet se më 11 shkurt 2022, polica nga DKA-ja kishte pranuar një video-incizim, ku aty shihej se si një arsimtar përdorte forcën fizike ndaj disa nxënësve në shkollën fillore“Anadollu” në Mamushë.

“Hetuesit policorë pas një pune hetimore në terren kanë arritur të identifikojnë mësimdhënësin dhe nxënësit e klasës VI/3 ndaj të cilëve është përdorur forca fizike”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, fëmijët me urdhër të prokurorit janë intervistuar në prani të prindërve dhe punëtorit të QPS-së , kurse të enjten është shoqëruar në polici i dyshuari A.K (62 vjeç).

“I dyshuari është intervistuar dhe i njëjti deklaroi se nga mosmbajtja e disiplinës së nxënësve, hyrje- daljet në klasë gjatë orës mësimore, ai e kishte humbur durimin dhe në një moment kishte përdorur forcë fizike ndaj disa nxënësve. Në konsultim me prokurorin e shtetit merret vendim për ndalim policor për 48 orë”, njofton policia. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në ketë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.