14-12-2024

Arrestohet në Shqipëri serbi i kërkuar ndërkombëtarisht

Autoritetet e Shqipërisë kanë arrestuar një serb 31-vjeçar, shtetas i Serbisë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Austrisë për trafikim të narkotikëve.

Policia e Shtetit njoftoi se arrestimi i tij është bërë me qëllim ekstradimin.

Arrestimi i tij ka ndodhur në pikëkalimin kufitar Morinë.

“Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Vjenës, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Austrisë, shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht D. S., 31 vjeç, banues në Serbi. Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 31-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Vjena, për veprën penale ‘Trafikimi i narkotikëve’, sipas parashikimeve të legjislacionit penal të Austrisë”, ka thënë Policia e Shtetit.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Austri, po i vijon procedurat për ekstradimin e 31-vjeçarit. /Klankosova.tv

Asnjë koment

Comments are closed.