12-10-2024

Arrestohet një “hajdut” xhepash që vidhte në Suharekë

Policia ka njoftuar për arrestimin e një personi nga Suhareka, që dyshohet se ka vjedhur pesë raste të vjedhjeve në xhepat e qytetarëve në Suharekës, transmeton “Gazeta e Prizrenit”.

Në Komunën e Suharekës kohët e fundit Policia e Kosovës duke pasur parasysh edhe shqetësimet e qytetarëve, ka shtuar patrullimet dhe ka ndërmarrë masa preventive në parandalimin e vjedhjeve.

Zyra për informim pranë Policisë në Prizren, ka njoftuar se vjedhjet kryesisht janë raportuar të kenë ndodhur në qendra tregtare, nëpër shtëpi etj. Kjo dukuri është shfaqur gjatë ditës në  njërin nga tregjet e qytetit. Vjedhjet janë regjistruar të kenë ndodhur kryesisht në xhepat e qytetarëve dhe mashtrimet janë bërë kryesisht te njerëzit e moshuar dhe te pensionistët.

“Policia duke pasur bashkëpunim të ngushtë me qytetarët e Suharekës, ka arritur të identifikojë dhe  të arrestojë të dyshimtin A.S i lindur në vitin 1958, nga Prishtina, i cili duke e shfrytëzuar dinakërinë e tij  dyshohet se ka arritur të kryej 5 (pesë) raste të vjedhjeve në xhepat e qytetarëve në Suharekë”, thuhet në kumtesën e policisë.

Me vendim të prokurorit ai është ndaluar në mbajtje për 48 orë.

Policia e Kosovës ka theksuar se është e përkushtuar t’i parandalojë vjedhjet dhe t’i mbrojë qytetarët nga dëmtimet e tilla duke iu ofruar një klimë të qetë dhe të sigurt për të gjithë.

Policia njëkohësisht falënderon edhe qytetarët për bashkëpunim e ofruar./GazetaePrizrenit.net

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.