01-05-2024

Arrestohet një rahovecas në Budvë, dyshohet se ishte vrasës me pagesë

Shtetasi kosovar, Bajram Pista (30), është arrestuar para katër ditësh në Budvë, raporton gazeta malaziase “Vijesti”. Gazeta shkruan se arrestimi është bërë nën dyshimin se Pista kishte shkuar në qytetin bregdetar malazias i ngarkuar për të vrarë anëtarin e njërës prej dy klaneve kriminale që janë në konflikt.

Kështu kanë pohuar burimet e gazetës pranë Policisë në Budvë, të cilët kanë thënë se e dinë edhe identitetin e personit që ka qenë dashur të jetë cak, likuidimin e të cilit thonë se e kanë parandaluar, shkruan sot “Koha Ditore”.

Jo zyrtarisht, gazetës “Vijesti” i është thënë se inspektorët policorë në Budvë janë duke hetuar edhe atë se kush ka qenë në përkrahje të Pistës në këtë qytet, sepse besohet që disa persona kanë pasur kontakt me të dhe i kanë ofruar ndihmë logjistike.

“Punojmë intensivisht në ndriçimin e këtij rasti dhe mbledhjen e dëshmive që mbështesin dyshimin se Pista është angazhuar për të likuiduar një qytetar të Budvës, i cili, sipas evidencës sonë, është pjesëtar i njërit prej klaneve kriminale në konflikt”, ka thënë për “Vijesti” një burim policor.

Sipas gazetës, Pista është arrestuar më 29 prill, në një banesë në hyrje të Budvës. Thuhet se i arrestuari është nga Rahoveci, dhe se në momentin e arrestimit atij i janë gjetur edhe armë, municion, heroinë dhe një telefon i koduar.

Asnjë koment

Comments are closed.