Arrestohet personi i pestë në rastin e fajdeve në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, njofton se ka arrestuar personin e pestë, i dyshuar se ka kryer veprën penale “Fajdeja”.

Personi i arrestuar është pjesë e grupit të cilët janë arrestuar gjatë aksionit të Prokurorisë të datës 22 dhjetor 2021 dhe i njëjti është arrestuar në pikën kufitare në Vërmicë.

“Arrestimi i të njëjtit vjen pas një pune hetimore gjashtë (6) mujore, të Prokurorisë në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës –Sektorin e Hetimeve Rajonale në Prizren. Si rrjedhojë e këtij operacioni, janë bastisur 8 (tetë) lokacione dhe janë sekuestruar para, vetura, armë, telefona, laptop, kompjuterë, kontrata, regjistra të ndryshme dhe marrëveshje të nënshkruara mes të pandehurve dhe viktimave”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Personi i arrestuar dyshohet se ka vepruar me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete duke kontraktuar shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), viktimave të fajdesë nga të cilët ka shfrytëzuar gjendjen e rënduar financiare, papërvojën e tyre dhe të njëjtëve u ka ofruar shuma të të hollave në formë të borxhit të cilët më pas i ngarkojnë me kamata të larta dhe të pa përballueshme. I njëjti është arrestuar në pikë kalimin kufitar në Vërmicë. Me aktvendim të prokurorit, i pandehuri është ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor për të njëjtin do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.